Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Pse cikli menstrual i grave u përkeqësua gjatë pandemisë?

QIKA 8.4.2021

Sipas sondazheve shumica e grave kanë përjetuar ndryshime në ciklin menstrual gjatë vitit të fundit. Shkaktari kryesor? Stresi i vazhdueshëm.

Ne nuk do ta kujtojmë vitin e kaluar si një vit të shëndetshëm për trupin e njeriut. Që nga marsi i vitit 2020, shumë prej nesh kanë përjetuar fizikisht manifestimin e stresit të të jetuarit në një pandemi globale. Nga humbja e energjisë dhe kokëdhimbjet deri te ndryshimet në disponim dhe çrregullimi I gjumit, ritmet tona kanë ndryshuar. Shumë gra kanë përjetuar dukshëm ndryshime të ritmit të ciklit menstrual.

Rachel Burns ka përjetuar gjithmonë sindromën paramenstruale (PMS), por gjendja i është vështirësuar edhe më shumë gjatë 12 muajve të fundit. “Unë gjithmonë ndihem e tërhequr disa ditë para menstruacioneve, por tani ndihem e shqetësuar për më shumë se një javë”, thotë 36 vjeçarja nga Kent. “Partneri im thotë se ky ndryshim është i madh”. Para Krishtlindjeve, periudha paramenstruale e bëri atë të ndjehet sikur “po çmendej, si një sulm paniku nga i cili nuk mund të shpëtonte”. Këto efekte po vazhdojnë edhe tani. Ajo ndihet e sëmurë, me dhimbje, “tërësisht e shteruar emocionalisht dhe fizikisht”. Si rezultat i kësaj ajo ndihet sikur kalon “vetëm një javë të ‘mirë’ në muaj. Është sikur të kesh një paqartësi brenda vetes”, tha ajo.

Kur gjinekologia Dr. Anita Singh (e cila shkruan në blogun e saj Gynae Geek) publikoi një anketë jo zyrtare në muajin maj në Instagram, duke pyetur nëse gratë kanë vërejtur ndryshime në cikël apo hormone, 65% nga 5677 të anketuara u përgjigjën me po. Një studim i kryer nga shkencëtarët e sportit dhe kompania bioanalitike Orreco tregoi se 53% e 749 grave të anketuara raportuan për ndryshimet në karakteristikat e ciklit menstrual, të tilla si ndryshim i disponimit apo cikël më i gjatë se zakonisht.

Për të kuptuar se çfarë po ndodhë, duhet të mendojmë për mekanizmat themelorë të ciklit menstrual. Në një cikël 28 ditësh, ovulimi do të ndodhë rreth ditës së 14-të. Folikula boshe nga e cila del veza do të formojë atë që quhet corpus luteum, një gjëndër e përkohshme që prodhon nivele të larta të hormonit progesteron (dhe nivele më të ulëta të estrogjenit) për të përgatitur mitrën për shtatzëni nëse veza fekondohet. Nëse nuk ndodh kështu, corpus luteum prishet, duke bërë që nivelet e progresteronit dhe estrogjenit të bien. Kjo fillon një javë para ciklit, pra në ditën e 21.

Rënia e këtyre hormoneve mund të ndikojë në kemikalet e trurit, përfshirë këtu serotoninën. Shumë gra të cilat përjetojnë sindromën paramenstruale më keq, zbulojnë se pasi fillon gjakderdhja dhe nivelet e hormoneve stabilizohen, simptomat e tyre zhduken. Por hormonet janë vetëm një pjesë e procesit.

“Sindroma paramensturale nuk është thjeshtë biologjike, sepse i njëjti proces i ngritjes dhe rënies së progesteronit dhe estrogjenit u ndodhë të gjitha atyre që kanë cikël menstrual dhe jo të gjitha preken në mënyrë të njëjtë nga kjo”, thotë gjinekologia Dr. Heather Currie, drejtore mjekësore e asociuar në Dumfries dhe Galloway Royal Infirmary. “Gratë me sindromën paramenstruale nuk kanë nivele anormale të hormoneve, por janë më të ndjeshme ndaj ndryshimit të niveleve të progesteronit dhe estrogjenit.” 

Ajo çfarë i bën disa gra të jenë më të ndjeshme se të tjerat është ende e paqartë. Ekzistojnë prova të hershme që sugjerojnë se disa gra mund të kenë një ndjeshmëri gjenetike për tu prekur nga ndryshimet hormonale, veçanërisht me çrregullimin disforik paramenstrual (PMDD), një përvojë më e rëndë se PMS. “Shkalla në të cilën ndryshimi i niveleve të hormoneve do të ketë ndikim te dikush varet nga gjendja psikologjike”, thotë Currie. “Kështu, nëse e dimë që ngjarjet e jetës mund të ndikojnë negativisht në simptomat e PMS, kjo na tregon se çfarë ndodhë në një periudhë të lodhshme dhe stresuese të tillë si pandemia globale.”

George Pearce, 29 vjeçare, është mësuese në Southampton. Ajo ka pasur një cikël 28 ditor për shumë vite dhe “zakonisht mund të masë kohën e ciklit brenda një ose dy ditësh.” Gjërat kanë ndryshuar. “Kam rrjedhje gjaku për disa ditë, pastaj pushon. Pastaj fillon përsëri, dhe më pas ndalet për gjashtë javë. Duket sikur ciklit menstrual nuk i intereson!’ Pearce thotë se ajo kurrë nuk ka qenë një person i shqetësuar, por tash ndjehet nevrike. “Është si një gumëzhitje e çuditshme. Sidoqoftë, jam duke i shqyrtuar gjërat më shumë se zakonisht, pasi që po kaloj shumë më shumë kohë në mendimet e mia. Nuk kam ku të shkoj tjetër.”

Stresi i vazhdueshëm na lë pezull mes ikjes dhe luftës (fight-or-flight). Në situata të rrezikshme, një shteg hormonal në trup i quajtur boshti hipotalamik hipofizë e veshkave, i cili lidh trurin me gjëndrat mbiveshkore, ndikon në çlirimin e hormonit të stresit kortizol, i cili na përgatitë për tu përgjigjur ndaj rrezikut.

Sidoqoftë, nëse truri e alarmon trupin gjatë gjithë kohës (ndaj mendimeve shqetësuese, ndryshimit të rrethanave, stresit të shkollimit në shtëpi, vetmisë apo sëmundjes) çrregullimi i kortizolit mund të shtypë nivelet normale të hormoneve riprodhuese në trup. Kjo mund të çojë në ovulim jo normal, i cili e çrregullon ciklin ose edhe e ndërpret atë plotësisht.

“Është e rëndësishme për gratë të përpiqen të kuptojnë se çfarë po ndodhë në jetët e tyre që mund ti përkeqësojë simptomat e tyre”, thotë Currie. Edhe përvoja e dhimbjes gjatë ciklit menstrual, e cila mund të kuptohet vetëm si tkurrje e mureve të mitrës që ndihmon gjakderdhjen, mund të ndikohet nga gjendja jonë emocionale. Gjithashtu, studimet kanë ndërlidhur procesin e dhimbshëm menstrual me punën ku nuk ofrohet siguri dhe mbështetje emocionale, gjë që tregon se stresi thellon perceptimin ndaj dhimbjes. Dhimbja është stresuese dhe stresi është i dhimbshëm. Nuk ekziston asnjë membranë mes fizikes dhe emocionales.

Mungesa e shpërqendrimeve të zakonshme dhe strategjive përballuese si dhe pranimi i mendimeve tona e bën këtë edhe më të vështirë. “Nuk ka valvul çlirimi”, thotë Dr. Sue Ward, gjinekologe konsulente dhe nënkryetare e Kolegjit Mbretëror të Obstetërve dhe Gjinekologëve. “Shumë prej nesh janë keq. Çdo gjendje që ka një element psikologjik me siguri se është përkeqësuar nga karantina. Është rast ideal ku trupi mund të përballet me stresin në shumë mënyra.”

Ward beson se nuk duhet të nënvlerësojmë ndikimin e grave në pamundësinë për tu bashkuar dhe dhe mobilizuar. “Të flasësh për shëndetin dhe emocionet tona me njëra tjetrën legjitimon atë që ne po mendojmë. Të gjesh kohë për të qeshur i bën gjërat më të lehta. Ne kërkojmë zgjidhje dhe konfirmim nga gratë e tjera dhe shumë prej nesh nuk kemi pasur mundësi ta bëjmë këtë.” Ngarkesa me punët shtëpiake dhe pamundësia për t’iu shmangur partnerëve ndonjëherë, na bën të ndihemi më ndryshe se më parë.

Gjatë periudhës së dytë të karantinës, Sarah Adams, 35 vjeçare, konsultoi mjekun e saj për të diskutuar rreth asaj se çfarë i kishte përkeqësuar ciklin menstrual. “Kam përjetuar një shkëputje dhe trishtim gjatë gjysmës së dytë të ciklit për vite të tëra, për të cilën e dija se duhej adresuar, por vetë-kritika ime gjatë vitit të fundit është bërë aq e zëshme, saqë është e frikshme.” Ajo ia atribuon këtë faktit të “pamundësisë për të shfryer ndjenjat diku tjetër, si në bibliotekë, pishinë apo pub.”

Adams jeton në Londrën Lindore dhe ka një dyqan së bashku me të dashurin. Derisa iu desh të mbyllnin dyqanin, ata qëllimisht aranzhonin oraret në mënyrë që të mos punonin së bashku gjatë gjithë kohës. Tani ata janë ‘bashkë 24/7’ thotë ajo. “Gratë predispozohen të analizojnë sjelljen e tyre, si dhe të mendojnë për mënyrën se si perceptohen. Mungesa e vetëbesimit shfaqet kur ne nuk kemi mundësi të jemi pranë grave të tjera. E humb kuptimin e asaj se çka është normale dhe e kuptueshme.”

E njëjta gjë është e vërtetë për ata që jetojnë vetëm. Sam Davies, 38 vjeçare, është menaxhere produktesh e cila jeton në Hertfordshire. Ajo thotë se gjithmonë ka përjetuar një formë të PMS. Por, të jetuarit vetëm për gjashtë muajt e parë të pandemisë përkeqësoi gjithçka. “Vazhdoja të kisha ndjenjën dërrmuese të të qenurit e ngujuar, me ndjenjat e mia, në shtëpinë time e vetme.” Për Davies, PMS zakonisht karakterizohet nga ndjenja depresive. “Ndjehem e pashpresë, me kokëdhimbje dhe e përlotur, por gjithashtu kam mendime nevrike dhe misfoni (ndjeshmëri ekstreme ndaj tingujve).” Ajo po trajtohet me një terapist privat, i cili po e ndihmon. “Është e vështirë të kuptoj nëse PMS gjatë karantinës është përkeqësuar si pasojë e ndryshimeve në rutinë dhe niveleve më të larta të stresit, apo nëse aftësia ime për të përballuar në përgjithësi ka ndryshuar. Ndoshta janë që të dyja.”

Një përmbysje e çoroditur e pandemisë është se ajo ka paraqitur një mundësi për të rivlerësuar se çfarë do të thotë “stres” në të vërtetë dhe se sa fuqishëm mund të ndikojë në trup. Nëse cikli menstrual është përkeqësuar gjatë vitit të kaluar, kjo është përgjigje ndaj stresit mbizotërues, një sinjal nga trupi për të menduar se cilat mjete dhe zakone mund të përmirësojnë mirëqenien tonë emocionale. Sapo jeta ti kthehet normales, rutina është më e lehtë për tu mbajtur dhe ne jemi në gjendje të qetësohemi, e ka të ngjarë që edhe ciklet menstruale të çrregullta të rregullohen poashtu.

Eleanor Morgan

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/society/2021/mar/25/pandemic-periods-why-womens-menstrual-cycles-have-gone-haywire