Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Si u bë flamuri i ylberit simbol i komunitetit LGBTQIA+?

QIKA 28.6.2024

Flamuri ikonik i Krenarisë, i parë shpeshherë i vendosur përpara shtëpive, lokaleve, dhe paradave në mbarë botën, është shumë më shumë se veç një shfaqje ngjyrash. Ai është një dëshmi për krenarinë LGBTQIA+, një simbol i hapësirave të sigurta dhe një emblemë e mbështetjes së pandërprerë.

“Komuniteti LGBTQ+ ekziston kudo – ashtu siç ekziston ylberi,” thotë Robert Kesten, drejtor ekzekutiv i Muzeut Stonewall.

Kur u valëvit për herë të parë flamuri i ylberit?

Në përgatitje për Paradën e Lirisë së Gejve dhe Lezbikeve në San Francisko më 25 qershor 1978, Harvey Milk, i cili ishte një politikan amerikan dhe i pari homoseksual që u zgjodh në poste publike në Kaliforni,

i dha Gilbert Bakerit, një veteran homoseksual, drag queen, aktivist dhe artist, detyrën për të krijuar një simbol që përfaqësonte komunitetin LGBTQIA+.

Flamuri i parë i krijuar me tetë ngjyrat e ylberit nga Baker, i cili mendonte se shprehte gëzimin, bukurinë dhe fuqinë e komunitetit LGBTQIA+, u frymëzua nga flamuri amerikan. “Në fund të viteve të ’70-ta, krenaria kombëtare nacionaliste ishte në kulmin e saj për shkak të 200-vjetorit të themelimit të Shteteve të Bashkuara, dhe homofobia ishte shumë e përhapur në shoqërinë amerikane. Përdorimi i simboleve kombëtare shtetërore për krenarinë e homoseksualëve rezononte me shumë njerëz homoseksual,” thotë Christopher Ewing, profesor ndihmës i historisë në Universitetin e Purdue-it.

Ky flamur përfshinte ngjyrën rozë për të simbolizuar seksin; të kuqen për jetën; portokalli për shërimin; të verdhën për diellin; të gjelbër për natyrën; bruz për magjinë; kaltër për harmoninë; dhe lejla për të simbolizuar shpirtin. Pas vrasjes së Harvey Milk në nëntor të vitit 1978, kërkesa për flamurin u rrit, çka çoi në heqjen e ngjyrave rozë dhe bruz ishte për shkak të kufizimeve në prodhim. Gjashtë ngjyrat e ylberit të mbetura pastaj u bënë simbol i qëndrueshëm i krenarisë queer.

Si u bë flamuri i ylberit më gjithëpërfshirës?

Flamuri i ylberit të Baker është përditësuar shumë herë për të qenë më gjithëpërfshirës. “Evolucioni i flamurit të ylberit pasqyron sesi komuniteti queer vazhdon të përballet me çështjet e racës dhe gjinisë. Ndryshimet e fundit të flamurit vendosin në qendër personat queer BIPOC (Black, Indigenous, and people of color) dhe njerëzit jokonform gjinor, të cilët përballen me diskriminim në hapësirat queer”, thotë Cookie Woolner, profesor i asociuar i historisë në Universitetin e Memphis.

Në vitin 2017, flamuri Philly Pride u shpalos në Bashkinë e Filadelfias, i cili qe krijuar nga Zyra e Çështjeve LGBT në Filadelfia nën udhëheqjen e Amber Hikes. Ky version përfshin vija të zeza dhe kafe në pjesën e sipërme për të përfshirë komunitetin QTBIPOC (Queer, Trans, Black, Indigenous People of Color), të cilët historikisht janë përjashtuar nga lëvizjet LGBT edhe përkundër faktit që ata ballafaqohen me sfida të dyfishta si minoritete – edhe me paragjykim edhe me dhunë.

“Përfshirja e QTBIPOC luajti rol kyç në rebelimin e Stonewall-it. Këto ngjyra shtesë i nderojnë dhe e kthejnë vëmendjen te ta”, thotë Rebekkah Mulholland, profesore ndihmëse e historisë në CSU Sacramento.

Në vitin 2018, emblema e ylberit u përditësua nga artisti jobinar, Daniel Quasar, për të përfshirë vijat e bardha, rozë të hapur dhe kaltër të flamurit të krenarisë trans, duke simbolizuar një angazhim për përfshirje më të madhe. “Flamuri Progresiv i Krenarisë është për të kundërshtuar zhdukjen e QTBIPOC përbrenda komunitetit,” thotë Ewing. “Ai e ripërfshiu ngjyrën rozë, një nga ngjyrat origjinale të flamurit të ylberit që pastaj u përdor në një kontekst të ri.”

Vijat me ngjyrë të zezë dhe kafe marrin formën “V” të cilat mbushen me ngjyrat kaltër të çelur, rozë dhe të bardhë të flamurit trans. “Është e rëndësishme të përfshijmë njerëzit trans sepse ata/ato shpesh kanë qenë në front të aktivizmit dhe janë përballur me pasojat më të mëdha për shkak të shkeljes së tyre gjinore”, thotë Woolner.

Në vitin 2020, u shfaq një flamur i ri i krenarisë LGBTQIA+, Flamuri i Personave Queer me Ngjyrë. Edhe pse dizajneri mbetet i panjohur, flamuri nënvizon barazinë queer dhe raciale duke përfshirë motivin e Black Lives Matter me grushtin e rezistencës të ngritur, që shfaqë ngjyrat e lëkurës. Ewing thotë se “lëvizja politike që çoi në krijimin e flamurit të ylberit në fund të viteve të ’70-ta është e pakuptueshme nëse nuk merren parasysh kontributet e QTBIPOC” dhe që qëndrueshmëria e QTBIPOC “vërteton vendin e pandryshueshëm të njerëzve me ngjyrë në lëvizjen LGBTQIA+”.

Versioni më i ri i flamurit të Krenarisë, i cili përfshinë interseksualitetin, u krijua në vitin 2021 nga Valentino Vecchietti, një gazetare dhe personazh mediatik interseks. “Flamujt e Krenarisë ekzistojnë jo për të na përfshirë ose për të na shndërruar, por për të reflektuar ekzistencën tonë të larmishme”, thotë ajo. “Përfshirja nuk mund të supozohet; është e rëndësishme që ta shohim atë.” Flamuri bazohet mbi dizajnin e Flamurit Progresiv duke përfshirë një rreth të vjollce brenda një trekëndëshi të verdhë, i cili simbolizon krenarinë interseks. Ky flamur tani ka 11 ngjyra dhe e ka referencën e emblemit origjinal të Flamurit të Krenarisë, i krijuar nga Baker.

Flamuri i Bakerit ka kaluar nëpër shumë rishikime dhe gjithashtu pritet të vazhdojë të riimagjinohet. “Sa më shumë e shohim se sa i gjerë është spektri i identitetit njerëzor, aq më shumë ndryshime të flamurit do të ketë,” thotë Kesten. “Në një komunitet kreativ të cilët janë të angazhuar vazhdimisht në aktivizëm, flamuri do të vazhdojë të evoluojë.”

Lola Méndez

E përktheu: Anita Vllahiu

Shkrimin origjinal mund ta gjeni në: https://www.nationalgeographic.com/history/article/history-of-the-lgbtqia-pride-flag?fbclid=IwZXh0bgNhZW0CMTAAAR2Btkh-epqfPCgZ0w8uvZ61Q5NIG94zkKe7q53ylgivmRmsK_8hvqilWUw_aem__MF6DB_rYnfADmpmc6lSQQ