Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Si u popullarizua nga e djathta konservatore slogani “Trupi yt, vendimi im”?

QIKA 20.11.2024

Në vitin 1970, pak vite përpara Roe v. Wade, disa feministe që luftonin për të drejta të abortit, në një protestë në Filadelfia, mbanin pankarta me mbishkrimin “Trupi im, vendimi im” – një slogan që u shndërrua, përgjatë dekadave, në “Trupi im, zgjedhja ime”. Kjo u bë fraza definuese e lëvizjes pro-zgjedhje. Sulmi seksual ishte çështja e radhës që hyri në këtë kornizë. Brenda dy dekadave, argumenti se gruaja kishte të drejtën ligjore për të zgjedhur se kur të kryente marrëdhënie seksuale me burrin e saj u kthye nga qesharake në detyruese. Gjyqi për rastin e parë të përdhunimit bashkëshortor ndodhi në 1978 dhe ky akt u bë ilegal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 1993. Llogaridhënia për sulmet seksuale në vitet 2010 u përpoq t’i jepte sloganit “Trupi im, zgjedhja ime” një ndjesi përfundimtare: ishte zgjedhja e një gruaje se çfarë të bënte me trupin e saj, edhe nëse ajo ishte e dehur, edhe nëse burri ishte i famshëm, edhe nëse ajo ishte sjellë sikur e dëshironte më parë. Në atë kohë, kisha idenë naive se diçka kishte ndryshuar përgjithmonë.

Mendoja se tashmë kishim parë kundërshtimin, i cili përfaqësohej nga fitorja e parë elektorale e Donald Trump dhe ideja që gratë janë qenie të plota kishte arritur një konsensus të mjaftueshëm, saqë përparimi sizmik, ndonëse i çrregullt, mund të ndodhte ende, siç ndodhi në vitin 2017 me #MeToo. Tani nuk ka më Roe v. Wade, dhe Trump do të bëhet President përsëri, dhe nuk u deshën as 24 orë pas rizgjedhjes së tij dhe djem të rinj filluan të përvetësojnë sloganin i cili mund të përkufizojë epokën e ardhshme të regresit: “Trupi juaj, zgjedhja ime”.

Fillimisht, është qesharake! Qetësohuni, feminist liberal të nxitur lehtësisht!

Gjithçka nisi me një postim në Twitter nga Nick Fuentes, një transmetues 26 vjeçar i cili përshkruan vetën si “incel krenar” (i referohet individëve, shpesh burra, që përjetojnë një periudhë të gjatë pa marrëdhënie seksuale dhe mund të shprehin zemërim dhe frustrim për këtë), rregullisht lavdëron Hitlerin, ka shprehur dëshirën e tij për “sundim katolik taleban” në Amerikë, si dhe dëshirën e tij për t’u martuar me një 16 vjeçare. (Fuentes konsiderohet aq toksik sa anëtarë të Partisë Republikane kishin denoncuar Trump pasi kishte darkuar me të në vitin 2022.) Në natën elektorale, Fuentes shkroi “Trupi juaj, zgjedhja ime. Përgjithmonë”. Djem të rinj filluan të kopjonin Fuentes, duke komentuar të njëjtin slogan në rrjetet sociale të vajzave. Instituti për Dialog Strategjik, një institut që fokusohet në ekstremizëm, gjeti se brenda 24 orëve pas fitores së Trump, pati një “rritje prej 4,600% në përmendjen e termave “Trupi yt, zgjedhja ime” dhe “Kthehu në kuzhinë” në platformën X, platformë kjo e udhëhequr dhe kontrolluar nga një miliarder i obsesionuar për të lënë shtatzënë gratë. Por, në një mënyrë, ashtu siç e din edhe Fuentes, fakti që slogani tashmë është bërë “meme”, dhe formalisht një shaka, e bën edhe më shqetësuese. “Gratë janë të shthurura” thotë duke buzëqeshur Fuentes në një video. “Sa video të grave keni parë në TikTok në 48 orët e fundit duke filmuar vetën e tyre duke qarë”? Gratë kënaqen nga e gjithë kjo duke u bërë viktima, shtoi ai. Pastaj kjo e tëra thellohet ende kur ai thotë se “pse të mos i japim grave arsye për të qarë”?

Fuentes ia doli të shkaktojë kaos. Mijëra gra të reja, të tmerruara nga kërcënimet e papritura për përdhunim, po postojnë video të tyre të përlotura në TikTok. (Në të gjithë këtë ne po përjetojmë pasojat e TikTok si një nga mediumet më të njohura përmes të cilit gratë e reja tani marrin dhe përpunojnë lajmet, ndërkohë që podkastet dhe YouTube janë burime kryesor lajmesh për djemtë e rinj). Tema kryesore është dhuna: gratë janë duke inkurajuar njëra-tjetrën të mësojnë si të mbajnë armë fshehurazi. Një nënë bëri shaka se do të bënte abort të vonshëm nëse zbulonte se djali i saj ishte një Groyper (grup i ekstremit të djathtë). Në anën tjetër, disa gra konservatore kanë pranuar me krenari sloganin, duke postuar fotografi me partnerin e tyre me përshkrimin “Trupi im, zgjedhja e tij”. Njëra prej tyre shkroi “Po e postoj këtë vetëm për të parë gratë liberale në TikTok duke pësuar krizë nervore”. Plot bluza me sloganet “Trupi juaj, zgjedhja ime” dhe “Trupi im, zgjedhja e tij” janë shitur në Amazon ditëve të fundit.

Para javës së kaluar, nëse keni dëgjuar diku frazën “Trupi juaj, zgjedhja ime”, ndoshta ishte në kontekstin e një politike publike që folësi e kundërshtonte. Ishte një përmbledhje e qartë e rikthimit të ndalimit të abortit: në vitin 2022, Dayna Tortorici shkroi, në n+1 se, nëse slogani i Roe ishte “Trupi im, zgjedhja ime”, nënteksti i vendimit të Dobbs ishte “Trupi yt, zgjedhja ime.” Në vitet e fundit, ajo ka qenë gjithashtu një thirrje e zakonshme mes anti-vaksinistëve, për të satirizuar mandatet e vaksinës COVID të Administratës Biden. Megjithatë, më e popullarizuar në mesin e aktivistëve kundër vaksinës ishte shprehja origjinale: nëse ne që kërkojmë të drejtën për abort mund të flasim për autonominë e trupit, atëherë “Trupi im, zgjedhja ime” duhet të zbatohet edhe për ata që thjesht duan të jetojnë të pa vaksinuar.

Shtrembërimet e mundshme të frazës dhe kuptimi i saj duken të pakufizuara. Një shkrimtar në organizatën fondamentaliste të krishterë “Focus on the Family” argumentoi së fundmi se “Trupi im, Zgjedhja ime” është një slogan pro-jetë, sepse vlen edhe për fetusin. (“Të drejtat nuk duhet të shtrihen kurrë aq shumë sa dikush të ketë të drejtat e të tjerëve në duar”, sugjeron ajo, një ide mjaft radikale që, nëse ndiqet në përfundimin e saj logjik, do të zhdukte kufijtë kombëtarë si dhe sistemin burgosës, dhe do të bënte inkubimin e një fetusi të moralshëm vetëm kur kryhet nga mitra artificiale). Një mjeke shtatzënë postoi në X disa ditë më parë, “A mund të them “Trupi yt, zgjedhja ime” për fetusin tim, sepse duket sikur kjo është ajo që po thoni?” Një burrë iu përgjigj: “Më vjen keq që po futem në semantikë, por “Trupi yt, zgjedhja ime” është përkufizimi literal i një aborti”. A janë ata dakord me njëri-tjetrin? A po pyesin njerëzit nëse këto fjalë janë të mira apo të këqija?

Lloji i veçantë i  shpërbërjes mendore që po ndodh këtu – si mund të jetë “Trupi im, zgjedhja ime” e drejtë kur bëhet fjalë për abortin, por e gabuar kur bëhet fjalë për çështjen e vaksinave? A mund të jetë “Trupi juaj, zgjedhja ime” e gabuar kur bëhet fjalë për përdhunimin, por e drejtë kur bëhet fjalë për një fetus? – duket si një përmbysje e një postimi në Twitter nga viti 2017: “Oh, a je i shqetësuar për diçka? A do të ishe i zemëruar nëse situata do të ishte ndryshe në një mënyrë që unë e kam projektuar në kokën time vetëm për këtë argument”? Ky vend, i bllokuar më shumë ose më pak në një sistem dy-partiak, ka qenë gjithmonë plot me njerëz që mendojnë se gjysma tjetër e popullsisë është jashtë mendjes. Tani, brezi më i ri i votuesve praktikisht nuk do ta njohë më kurrë realitetin e konsensusit për asnjë çështje. Disa amerikanë mendojnë se qeveria duhet të detyrojë gratë të mbajnë fëmijë, por që të detyrosh eliminimin e poliomielitit përmes vaksinimit është e pamoralshme. Disa amerikanë mendojnë se grave duhet t’u lejohet t’i japin fund jetës së fetusit të tyre, por që njerëzit nuk duhet të lejohen të bëjnë seks me gratë kundër vullnetit tonë. Unë e pranoj mbishkrimet “VOTO KUQ . . . LOL” që u shfaqën javën e kaluar pranë banesës sime në Bed-Stuy, një lagje e Bruklinit në të cilën më shumë se 90% e votuesve mbështetën Kamala Harris, si një rikujtim se ne zakonisht jemi më afër njerëzve që na duken të qeshur dhe të neveritshëm se sa ne mendojmë.

Nga njëra anë, ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj asaj që njerëzit po postojnë në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, postimi tani krijon realitetin politik. Një distrikt shkollor në Minesota në një letër drejtuar prindërve javën e kaluar shkroi se kishte pranuar raporte për mesazhe me tekst që kishin për synim studentët me ngjyrë, duke përmendur skllavërinë dhe plantacionet. Një distrikt tjetër tha se studentet vajza kishin marrë mesazhe “Trupi yt, zgjedhja ime”. Tutje, ka prindër në rrjete sociale që raportojnë se fëmijët e tyre po e dëgjojnë frazën nga djemtë në shkollë. Një terapiste në një universitet në Upper Midwest më tha se një student me të cilin punon kishte shkuar në një festë ku një burrë e kishte thënë sloganin me zë të lartë dhe se njerëzit përreth tij nuk e kishin kundërshtuar.

Një pjesë e asaj që më duket kaq e turpshme për popullarizimin e këtij slogani mes të rinjve është se ata që e kanë adoptuar atë, si burrat ashtu edhe gratë, sinqerisht nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale të mjaftueshme për të kuptuar se për çfarë po flasin. Mes konservatorëve të rinj, ekziston një tregim se “vajzat tërheqëse votuan Trump” dhe se e majta woke (e zgjuar) nuk mund të përballojë burrat mashkullorë. Këtu është sugjerimi se ajo që po nxit debat në lidhje me “Trupi yt, zgjedhja ime” është ideja se është tërheqëse, si për burrat ashtu edhe për gratë – kur gratë ia dorëzojnë trupin e tyre burrave. Në fakt, kjo është një nga preferencat seksuale më të zakonshme që ekziston. Dhe tani, shpirti i etur, dominimi i libidos dhe i respektit në dhomën e gjumit është ajo që përcakton seksin, shtatzëninë, amësinë, dhe martesën e detyruar.

Por mungesa e përvojës së njerëzve që përsërisin “Trupi yt, zgjedhja ime” do të thotë gjithashtu se shumë prej tyre, veçanërisht ata shumë të rinj, nuk janë nxehur ende në këtë ideologji. Kam biseduar me një edukator që jep mësim për edukimin seksual në qytetin e Nju Jorkut. Disa ditë pas zgjedhjeve, edukatorja, e cila është person jobinar, po ligjeronte rreth pëlqimit në një klasë me nxënës të klasës së gjashtë, 11 dhe 12 vjeç. Një fëmijë tha sloganin “Trupi yt, zgjedhja ime” dhe para se mësuesi të mund të reagonte, një fëmijë tjetër u ngrit dhe tha “Thuaje përsëri dhe unë do të të godas”. E gjithë klasa filloi të brohoriste. Ata e pyetën fëmijën e parë nëse ai e dinte se çfarë do të thoshte “Trupi yt, zgjedhja ime”, dhe ai tha jo. Ata i thanë fëmijës se kjo do të thoshte që një djalë mund të vendosë kur dëshiron të lëndojë një vajzë, që përdhunimi i një personi tjetër është në rregull. “Pas kësaj, djali u përlot”, thanë ata. “Edhe nëse ai mund të mos ishte plotësisht i sinqertë kur tha se nuk e dinte, ai ishte i hutuar”. Fëmija u kishte thënë se personi të cilin e kishte dëgjuar duke thënë “Trupi yt, zgjedhja ime” dukej shumë i sigurt dhe i ftohtë.

Në anën tjetër, Nick Fuentes, u bë objekt i “doxing” pasi adresa e tij filloi të qarkullonte në internet. Një grua që jeton pranë shtëpisë së Fuentes në Illinois shkoi në shtëpinë e tij, dhe më vonë i tha Chicago Tribune se Fuentes hapi derën dhe e spërkati me sprej me piper (pepper spray) para se ajo të mund t’i binte ziles. Në një deklaratë për Chicago Sun-Times, Fuentes tha, “Mos u shfaq para derës së dikujt duke kërkuar të shkaktosh probleme”. Ai gjithashtu ripostoi një postim nga Tristan Tate – një tjetër influencer i krahut të djathtë, i cili është nën mbikëqyrje gjyqësore në Rumani ndërkohë që pret gjyqin për akuza që përfshijnë trafikimin e qenieve njerëzore – duke argumentuar se, nëse një burrë do të shkonte në shtëpinë e një gruaje për t’u përballur me të për politikën e saj, “Ajo fjalë për fjalë mund ta qëllonte për vdekje dhe nuk do të shqetësohej. Unë gjithashtu do të pajtohesha plotësisht me të dhe të drejtat e saj për të mbrojtur shtëpinë e saj”. Të qenit i kërcënuar, ata e bëjnë të tingëllojë kaq serioze, edhe kur këmbëngulin që kushdo që shqetësohet për një meme është një idiot i dështuar, edhe pse ata këmbëngulin se diçka rreth kësaj, diku, është një shaka.

Jia Tolentino

E përktheu: Anita Vllahiu

Shkrimin origjinal mund ta gjeni këtu