Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lexime

Verbëria e feminizmit perëndimor karshi grave në Lindjen e Mesme

QIKA 10.11.2023

Mesazhi kryesor që feministet/ët perëndimorë po u dërgojnë grave palestineze është i zëshëm dhe i qartë: vuajtja juaj nuk qon peshë.

Epoka e tanishme ndikohet pashembullt nga platformat digjitale X (i njohur më parë si Twitter). Ai është gjëja më e afërt me një shesh global. Në kuadër të tregut të gjerë të ideve, një nëngrup feministesh/ësh perëndimorë kanë marrë njëanshëm role udhëheqëse, duke modeluar veten si gjyqtarë të asaj se kush është një feminist/e i/e vërtetë dhe çka është në të vërtetë feminizmi.

Që nga 7 tetori këta feministë/e udhëheqës kanë bombarduar peizazhin digjital me postime përmes së cilave dënojnë ashpër sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, derisa justifikojnë ose thjeshtë injorojnë ndëshkimin kolektiv e të vazhdueshëm të më shumë se dy milionë palestinezëve në Rripin e Gazës. Disa madje përpiqen të paraqesin bombardimet dhe rrethimin total të territorit nga Izraeli, që veçse u ka marrë jetën mbi 5,000 burrave, grave dhe fëmijëve, si një hakmarrje të pranueshme për veprimet e Hamasit dhe si vetëmbrojtjen të ligjshme.

Për të qenë të qartë, kjo nuk do të thotë të mos dënohet dhuna që Hamas ushtron ndaj grave izraelite, por të dënohet indiferenca e tyre e dukshme e në disa raste miratimi entuziast i dhunës që po ushtrohet aktualisht ndaj grave palestineze.

Të ashtuquajturit feministe/ë jo vetëm që po dështojnë për të treguar ndjeshmëri ose mbështetje për vuajtjet e gjata të grave palestineze, por gjithashtu po bashkohen në përpjekjet në rritje për të heshtur ata që shprehin ndonjë solidarizim me to.

Sa herë që dikush, veçanërisht nga ndonjë profil me audiencë të konsiderueshme, poston në X në mbështetje të Palestinës, duke pranuar vuajtjet prej dekadash të popullit palestinez nën pushtimin dhe shtypjen izraelite, ata përballen me të njëjtat pyetje, të parashtruara shumë herë si: “A e mbështesni Hamas-in?”, “A i dënoni sulmet ndaj civilëve izraelitë?”.

Si përgjigje, disa njerëz frikësohen dhe ndërrojnë diskursin, ndërsa të tjerë ose i injorojnë ose përpiqen të sfidojnë supozimet e këtyre hetuesve publikë të vetë-emëruar. Sido që të përgjigjen, ata do të përballen me të njëjtin breshëri abuzimi, frikësimi dhe fyerjesh nga ata që “qëndrojnë me Izraelin”, duke përfshirë shumë feministe/ë të shquar/a perëndimore.

Frazat dhe etiketimet si “anti-semit”, “falës i përdhunimeve”, “mbështetje për përdhunimet dhe rrëmbimet e grave”, “mbështetje për një grup terrorist që qeverisë me ligjin e Sheriatit”, dhe veçanërisht shprehja “nuk je feminist/e i/e vërtetë”, po përdoren pa rezerva.

Kështu që unë dua t’i pyes të gjithë ata/ato feministë/e në perëndim që jo vetëm bëjnë postime, nënshkruajnë deklarata e shkruajnë artikuj duke mbështetur pa kushte “të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur” por gjithashtu punojnë pa u lodhur për të “eliminuar” këdo që guxon të vë në qendër të vëmendjes dekada të vuajtjes palestineze, apo thirrje për t’i dhënë fund bombardimeve të Izraelit pa kriter, ndaj të gjithë popullsisë në Gaza, që vret e gjymton qindra gra e vajza çdo ditë: A është kjo ajo çka ju quani feminizëm?

Forma juaj e feminizmit, e cila me sa duket vlen vetëm për një nëngrup të caktuar të grave kryesisht të bardha, perëndimore ose së paku të orientuara kah perëndimi, është e vështirë për t’u kuptuar. Ju keni të drejtë kur dënoni dhunën që Hamas ushtron mbi gratë izraelite. Megjithatë, ju jo vetëm që heshtni për vuajtjet e grave palestineze, por edhe po përpiqeni të heshtni këdo tjetër që është mjaftueshëm guximtar/e për të folur për to.

Sot, gratë dhe fëmijët e Gazës nuk janë vetëm nën bombardime të rënda por edhe në krizë urie falë kaplimit të Izraelit. A nuk meriton ky krim kundër grave vëmendje e dënim? Si mund ta quash veten feminist/e ndërkohë që justifikon, madje mbështet veprimet ndëshkuese e gjenocidale të një shteti të fuqishëm kundër një populli të pafuqishëm e të bllokuar? Si mund të injoroni kaq lehtë përvojat e tmerrshme të qindra grave që nuk kanë fuqinë për të ndryshuar rrethanat e tyre?

Indiferenca e dukshme e feminizmit perëndimor karshi deklaratave si ajo e ministrit izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant, duke i krahasuar palestinezët me “kafshë njerëzore”, është thellësisht alarmante.

Nëse feminizmi juaj nuk ju shërben që të mbroni një popull që ka përjetuar spastrim etnik, shtypje dhe pushtim që nga viti 1948, i cili është përpjekur të mbijetojë nën një bllokadë gjymtuese për 17 vjet, i cili po përkufizohet si “kafshë njerëzore”, dhe i cili po përballen me atë që mund të përshkruhet vetëm si gjenocid, atëherë për çfarë u shërben? Nëse këto realitete nuk ju inkurajojnë të mbani një qëndrim, është e vështirë të imagjinohet se çfarë do të mund t’u inkurajonte. A nuk janë gratë palestineze mjaftueshëm gra për të merituar mbrojtjen tuaj feministe?

Shpresoj që kjo të rëndojë në ndërgjegjen tuaj, sepse duke njohur të drejtën e Izraelit për të “mbrojtur veten” me çdo kusht, ju po e falni dhunën ndaj grave dhe fëmijëve, pikërisht demografinë që pretendoni se e përkrahni. Duke injoruar gjendjen e popullit palestinez, duke u përpjekur t’i cilësoni si “anti-semitistë” dhe “anti-feministë” të gjithë ata që guxojnë të mbështesin ata, ju po e bëni të qartë se jo të gjitha jetët – jo të gjitha gratë – mbajnë të njëjtën vlerë në sytë tuaj.

Mesazhi që ju përçoni tek gratë që përpiqen të mbijetojnë nën bombat izraelite, gratë që përqafojnë kufomat e fëmijëve të tyre të vrarë, është i zëshëm e i qartë: ju nuk qoni peshë.

Maryam Aldossari

E përktheu: Blenda Asllani

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.aljazeera.com/opinions/2023/10/23/western-feminism-and-its-blind-spots-in-the-middle-east?fbclid=IwAR1aLLC78BKjkT6zL5w5hqXX8CwXA4YSC7lA_4zHFm5b-pStJso50B8iYvc