Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

LFS kërkon përjashtimin e profesorit që u denoncua për ngacmim seksual

QIKA 21.3.2024

Sot, aktivistet e Levizjes Feministe Studentore (LFS) përmes aksioneve simbolike para Rektoratit dhe Fakultetit të Edukimit kanë kërkuar përjashtimin e profesorit Xhevat Krasniqi, për të cilin KOHA raportoi dje se 27 studente të Fakultetit të Mjeksisë e kanë denoncuar për ngacmim seksual.

Deklarata e plotë e LFS-së:

PËRJASHTOJENI XHEVAT KRASNIQIN!

Sot, ne studente aktiviste të Universitetit të Prishtinës mbyllëm dyert e Rektoratit dhe Fakultetit të Edukimit dhe kërkuam përjashtimin e ngacmuesit seksual, Xhevat Krasniqi nga UP-ja.

Dje, në KOHA u publikua një artikull, sipas së cilit Xhevat Krasniqi, profesor i rregullt në Fakultetin e Edukimit është i denoncuar për ngacmim seksual në Këshill të Etikës nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë. Në këtë artikull lexuam rrëfimet e studenteve – viktima të dhunës seksuale nga profesori në fjalë. Këto rrëfime përfshijnë ngacmime seksuale në rrugë, në klasë e në konsultime – nga komentet rreth dukjes së tyre deri tek ofrimi i masazhit dhe tentimi për përqafim të padëshiruar.

Pas denoncimeve, Fakulteti i Mjeksisë ka ndërprerë bashkëpunimin me ngacmuesin Krasniqi, por jo edhe UP, ai vazhdon të ligjëroj në Fakultetin e Edukimit.

Ndonëse kanë kaluar 2 javë nga denoncimi, Këshilli i Etikës ende nuk i ka ftuar palët për intervistim, ani pse rregullorja e përcakton që palët duhet të ftohen jo më vonë se pesë ditë pune që nga denoncimi i shkeljes.

Ne mbesim të shqetësuara nga mungesa e gatishmërisë institucionale për të luftuar këtë fenomen dhe heshtja e UP-së kur i kërkohet prononcim lidhur me këtë rast. Ne konsiderojmë se edhe kësaj here ky institucion ka tentuar ta fshehë këtë rast, si krejt rastet tjera. Kjo për ne është e patolerueshme. Andaj, ne sot, kërkojmë përjashtimin e menjëhershëm të profesorit Xhevat Krasniqi nga UP-ja.

Përjetimet e studenteve që e kanë denoncuar profesorin në fjalë dhe kërkesat tona i vendosëm tek Rektorati dhe Fakulteti i Edukimit për t’ia rikujtuar UP-së se i njohim ngacmuesit seksualë dhe se refuzojmë t’i bashkangjitemi heshtjes e normalizimit të abuzimit me pushtetin në formën e dhunës seksuale.

Ngacmuesit seksualë nuk kanë vend në UP, andaj nuk do të ndalemi derisa Xhevat Krasniqi të përjashtohet nga UP!