Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

LFS kërkon transparencë dhe llogaridhënie për rastet e ngacmimeve seksuale në UP

QIKA 20.11.2023

Në vazhdën e aksioneve simbolike, Lëvizja Feministe Studentore (LFS) të premten, para Rektoratit, ka kërkuar transparencë dhe llogaridhënie nga Universiteti i Prishtinës lidhur me rastet e ngacmimeve seksuale brenda institucionit. Gjatë aksionit, rrëfimet e studenteve pjesëmarrëse në hulumtimin e Kosovo 2.0, si Hana, Gresa, dhe Ana u vendosen në shkallët e Rektoratit, si simbol i rezistencës ndaj sistemit që shpesh neglizhon drejtësinë për viktimat e abuzimit seksual. Këto rrëfime përcjellin një mesazh të qartë: mosbesimi institucional dhe stigmatizimi i viktimave duhet të marrin fund.

LFS-ja vuri në dukje se pavarësisht guximit të disa studenteve për të raportuar ngacmimet seksuale, vendimet e Këshillit të Etikës për këto raste mbeten të fshehura nga publiku. “Ne refuzojmë të heshtim para abuzimit të pushtetit dhe dhunës seksuale e cila po dëshmohet që është me bazë gjinore. Sot nga këtu, kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie. Ne kërkojmë publikimin e vendimeve të Këshillit të Etikës”, thuhet ndër të tjerash në deklaratën e LFS-së.