Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ligji kundër grevës në Britaninë e Madhe diskriminon gratë

QIKA 22.2.2023

Grupet feministe në Britaninë e Madhe kanë ngritur zërin ndaj projektligjit kundër grevës, i cili në rast se do të shkelet, do të ketë kufizime të ndryshme ndaj të punësuarve në fushën e arsimit, shëndetësisë, zjarrfikësve, transportit dhe të ngjashme. Ky projektligj në rast se aprovohet, shkelë dhe diskriminon automatikisht më së shumti gratë për shkak se përqindja e fuqisë punëtore gra në këta sektorë është shumë më e madhe se ajo e burrave.

Me këtë rast, një koalicion prej katër organizatave bashkë me TUC (Trades Union Congress) i kanë dërguar një letër ministres së barazisë Kemi Badenoch, ku kanë theksuar dëmet dhe shkeljet që do të shkaktohen veçanërisht ndaj grave. Projektligji, i cili pritet në Dhomën e Lordëve të martën, do t’i japë sekretarit të biznesit kompetencat për të bërë rregullore mbi nivelet minimale të shërbimit dhe punëdhënësit do të konsultohen me sindikatat se çfarë do të thotë kjo në praktikë.

“Ky legjislacion drakonian do të nënkuptojë që kur punëtorët votojnë në mënyrë demokratike dhe të ligjshme për grevë në një sërë sektorësh – duke përfshirë shëndetësinë dhe arsimin që kanë një fuqi punëtore kryesisht gra – ata mund të detyrohen të punojnë dhe të shkarkohen nëse nuk e respektojnë atë”, – shkruan ata në letër.


Ndërkaq, Jemima Olchawski, shefe ekzekutive e Shoqërisë Fawcett, tha: “Për shumë gra që punojnë në sektorë sistematikisht të nënvlerësuar, aksioni i grevës është thelbësor për të dëgjuar zërin e tyre. Për më tepër, ne e dimë se gratë, veçanërisht gratë e zeza, janë më të prekurat nga kriza e kostos së jetesës – vendet e punës duhet të punojnë për gratë dhe pika fillestare për këtë duhet të jetë paga e mirë dhe kushtet e punës.”

Mendime dhe komente të ngjashme kishte edhe sekretari i përgjithshëm i TUC, Paul Nowak i cili tha se “Askush nuk duhet të përballet me diskriminim në punë për shkak të gjinisë së tyre. Sidoqoftë, shumë gra trajtohen në mënyrë të padrejtë nga punëdhënësit e tyre vetëm pse janë shtatzënë. Shumë janë të detyruara të punojnë  sepse kanë përgjegjësi përkujdesjeje për fëmijët ose prindërit e moshuar, dhe shumë ende përjetojnë ngacmime seksuale në punë.”


Lordët do të debatojnë dhe rilexojnë edhe njëherë projektligjin të martën dhe mbetet të merret vendimi final mbi këtë çështje.