Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Liri, barazi dhe drejtësi për të gjithë!

QIKA 17.5.2024

E festuar çdo vit më 17 maj, Dita Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë (ose IDAHOBIT) shënon përvjetorin e vendimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në vitin 1990 për të deklasifikuar homoseksualitetin si çrregullim mendor.

Në një kohë kur të drejtat e njeriut dhe demokracia po pësojnë regres, tema e këtij vitit “Askush nuk do mbetet pas: Barazi, liri dhe drejtësi për të gjithë”, është thirrje për bashkim për të krijuar një botë ku askush nuk lihet mbrapa.

Pavarësisht progresit të konsiderueshëm, të dhënat nga Baza e të Dhënave Botërore ILGA, tregojnë se personat LGBTQIA+ vazhdojnë të përballen me sfida për qasje në të drejtat e tyre themelore.

62 shtetet anëtare të OKB-së kriminalizojnë marrëdhëniet konsensuale të të njëjtit seks, qoftë me ligj ose në praktikë. Të paktën 59 vende kanë kufizime në lirinë e shprehjes në lidhje me çështjet e diversitetit seksual dhe gjinor, dhe dy vitet e fundit është vërejtur një përshpejtim alarmues i shteteve që miratojnë dhe debatojnë për dispozita të tilla. Ndërsa ligjet që mbrojnë individët nga krimet e urrejtjes bazuar në orientimin seksual ekzistojnë në 59 shtete anëtare të OKB-së, vetëm 38 shtete e bëjnë këtë bazuar në identitetin gjinor, 9 shtete në shprehjen gjinore dhe 5 shtete në orientimin seksual, raporton ILGA.

Gjithsesi, po bëhet përparim. Deri më sot, 16 shtete anëtare të OKB-së kanë zbatuar ndalime për të ashtuquajturat “terapitë e konvertimit” në nivel kombëtar. Nëntë kanë vendosur kufizime mbarëkombëtare për ndërhyrjet e panevojshme për të rinjtë interseks. Për më tepër, 17 shtete anëtare të OKB-së lejojnë njohjen ligjore të gjinisë bazuar në vetëvendosje dhe 35 kanë legalizuar barazinë martesore.

Mes progresit dhe regresit, tema e IDAHOBIT-it të këtij viti është një thirrje për solidaritet dhe që të gjithë të bashkohen në krijimin e një bote me drejtësi sociale, ku askush nuk mbetet pas. Barazia, liria dhe drejtësia formojnë themelin e një shoqërie demokratike ku të gjithë vlerësohen dhe respektohen.