Dje, në protestën e thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe Përpjekja janë bashkuar shumë aktiviste e aktivistë për tu solidarizuar me grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës.
Me pankartat “Punëtoret nuk janë mall”, “Punëtoret teknike e majnë Kuvendin”, “Çka bënë njeri me 275 euro në Kosovë?”, aktivistet/ët kërkuan rritje të pagave dhe trajtim të dinjitetshëm në punë për punëtoret teknike.
Kujtojmë se punëtoret teknike të Kuvendit tash e 8 javë janë në grevë për shkak të pagave të ulëta dhe kushteve të punës.
Deklarata e plotë e Kolektivit:
“Jemi mbledhur sot para Kuvendit të Republikës në protestën solidarizuese me punëtoret greviste.
Tashmë jemi në javën e tetë të grevës së punëtoreve teknike të cilat kërkesat i kanë të qarta dhe të drejta: pagë 550 euro dhe trajtim të dinjitetshëm në punë!
Përderisa punëtoret ka 2 muaj që po qëndrojnë jashtë në oborrin e Kuvendit, atje brenda deputetët kanë filluar ta shpallin njëri tjetrin tradhtar në mënyrë që ta projektojnë heroin te vetja, lojë e zakonshme kjo që e bëjnë gjithmonë partitë politike përpara zgjedhjeve. Pas pak ditësh do të dalin cep më cep Kosovës për të na treguar se sa shumë e kanë hallin te ne, e cili nga deputetët do të punojë më shumë për klasën punëtore. Por një hap larg nga ndërtesa e Kuvendit po zhvillohet një grevë nga punëtoret sanitare, e shumë nga deputetët nuk janë fare në dijeni që kjo grevë po ndodh, kjo tregon se janë demagogë e të pasinqertë, që pushtetin e kanë qëllim në vetvete, e jo në favor të qytetarëve që ua delegojnë atë pushtet.
Kompania Schafberger e cila e ka fituar tenderin për mirëmbajtjen e Kuvendit, ofertën më të lirë e ka ofruar në kurriz të punëtoreve të cilat i paguan vetëm 275 euro në muaj, pagë kjo që në shumë raste nuk e mbulon as qiranë e banesës në Prishtinë. Prandaj kur jepen tenderë nga shteti, në kontratat e punës duhet të përfshihen edhe pagat e punëtorëve por dhe kushtet e punës.
Por tashmë e dijmë që pagat dhe kushtet e dinjitetshme në punë nuk arrihen as nga mëshira e pronarëve parazitarë e as nga pushtetarët hipokritë. Organizimi i punëtorëve është zgjidhja e vetme. Qëndresa frymëzuese e këtyre grave punëtore është shembulli që duhet ndjekur.
Prandaj, ju ftojmë në organizim. Ju ftojmë dhe në aktivitetet tona të radhës, deri në plotësimin e kërkesave të grave greviste!”