Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Më shumë se 1500 policë në Mbretërinë e Bashkuar të akuzuar për dhunë ndaj grave vetëm në gjashtë muaj

QIKA 15.3.2023

Sipas të dhënave të fundit në Mbretërinë e Bashkuar, më shumë se 1,500 policë janë akuzuar për vepra të dhunshme ndaj grave dhe vajzave gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh dhe më pak se 1% e tyre janë shkarkuar.

Sipas të dhënave nga Këshilli Kombëtar i Shefave të Policisë, 1,177 raste të dhunës të ushtruar nga policia u raportuan nga tetori i 2021 deri në prill 2022. Raportimet përfshinë edhe raste të ngacmimeve dhe sulmeve seksuale.

Maggie Blyth, koordinatorja e Këshillit Kombëtar të Shefave të Policisë për dhunën ndaj grave dhe vajzave, tha se do donte të shihte më shumë hetime, masa ndëshkimore dhe shkarkime në rastet e raportuara të dhunës ndaj grave dhe vajzave.

“Këto shifra përforcojnë urgjencën dhe rëndësinë e misionit tonë aktual për të hequr abuzuesit dhe individët e korruptuar nga policia. Shumica dërrmuese e oficerëve dhe stafit janë profesionistë dhe të përkushtuar, por e di se është tronditëse të dëgjosh për raste të tilla në polici dhe se si kjo mund të lëkundë më tej besimin e brishtë”, shtoi ajo për The Guardian.

Shifrat gjithashtu vënë në fokus shkallën e dhunës ndaj grave dhe vajzave e cila përfaqësonte 16% të të gjithë krimeve të regjistruara nga tetori 2021 deri në prill 2022, me abuzimin në familje si forma më e përhapur e dhunës.