Më 26 shkurt, disa persona të armatosur bastisën një shkollë në Nigerinë veri-perëndimore ku rrëmbyen më shumë se 300 vajza duke shënuar kështu rrëmbimin e tretë masiv të fëmijëve që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Ende nuk janë diktuar përgjegjësit e sulmit, mirëpo kjo nuk është hera e parë që bandat kriminale të njohura në këtë zonë po rrëmbejnë njerëz, duke i mbajtur peng në këmbim të shpërblimit, raporton Washington Post.
Sipas raportit të SB Morgen mes vitit 2011 dhe 2020 nigerianët kanë paguar të paktën 18 milion dollarë për të liruar të afërmit e tyre. “Banditët e kanë kuptuar që autoritetet nuk mund të mbrojnë njerëzit” tha Isa Sanusi, zëdhënësi i Amnesty International në kryeqytetin nigerian, Abuja.
Në dhjetor të vitit të kaluar, grupacioni Boko Haram rrëmbeu më shumë se 300 djem nga një shkollë në Katsina, ndërsa në 2014 të njëjtit kishin rrëmbyer më shumë se 270 vajza në Chibok. Ky rast nxiti reagime në rrjete sociale duke bërë thirrje për kthimin e vajzave me shkrimin #BringBackOurGirls, megjithatë 100 prej tyre ende rezultojnë të zhdukura. Ky grup terrorist ka vrarë të paktën 36,000 njerëz dhe ka zhvendosur miliona gjatë dekadës së fundit nga bastioni i tij në pellgun e Liqenit Çad.