Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Mjeket në Pakistan raportojnë se janë të pasigurta

QIKA 31.10.2024

Gratë që punojnë në spitalet e Pakistanit përballen vazhdimisht me ngacmime seksuale, dhunë dhe abuzim verbal nga kolegët burra, pacientët dhe familjet e tyre. Kjo krizë e sigurisë së tyre mbetet e fshehur për shkak se shumica e këtyre rasteve nuk raportohen.

Pas përdhunimit dhe vrasjes së një mjekeje në një spital në Indi, shumë gra që punojnë si mjeke në Pakistan kanë raportuar në BBC se janë të shqetësuara për sigurinë e tyre, derisa kanë treguar se shumica e rasteve nuk raportohen meqë kanë frikë sidomos nga mosbesimi e stigmatizimi, por frikësohen edhe se mund të humbasin vendin e punës, nderin dhe respektin.

Para disa muajsh, një mjeke e re kishte shkuar tek Dr. Nusrat (identiteti i së cilës është i mbrojtur), dhe i kishte treguar se derisa ishte në tualet, një mjek burrë e kishte filmuar përmes një vrime në mur dhe po e shantazhonte. “Unë sygjerova që ta denonconim në Agjencinë Federale të Hetimit, e cila merret me krimet kibernetike, por ajo refuzoi sepse nuk donte që familja apo vjehrri i saj ta kuptonin,” shpjegoi Dr. Nusrat duke shtuar se ajo di së paku edhe tre raste të tjera ku mjeket janë filmuar fshehurazi. Një i njohur i Dr. Nusrat që punon në polici, foli me shantazhuesin dhe u sigurua që videoja të fshihej.

Sipas BBC, dëshmitë e mbledhura tregojnë se ngacmimi seksual është shumë i zakonshëm.

Dr. Aamna (identiteti i së cilës është i mbrojtur) tregoi se si pesë vjet më parë kur punonte në një spital qeveritar, ishte vënë në shënjestrën e eprorit të saj, një mjek i fuqishëm në atë spital. “Më përkulej mbi dosje, përpiqej të më prekte dhe vazhdimisht bënte komente të papërshtatshme”, tha ajo.

Ajo kishte bërë një ankesë në administratën e spitalit, ku ishte pritur me indiferencë. “Më thanë se unë kisha punuar aty për një kohë të shkurtër dhe më pyetën se çfarë provash kisha. Nuk kemi mundur ta rregullojmë këtë person për shtatë vjet, asgjë s’mund të ndryshosh dhe askush s’do të të besoj”, shtoi Aamna, e cila thotë se njeh gra të tjera që kanë arritur të incizojnë  ngacmimet, “por asgjë nuk ndodh – ngacmuesi thjesht transferohet në një repart tjetër për disa muaj, pastaj kthehet”.

Sipas Dr Summaya Tariq Syed, kryekirurgë e policisë në Karaçi dhe udhëheqëse e qendrës së krizës së përdhunimeve në Pakistan, rrënja e problemit qëndron në mungesën e besimit dhe llogaridhënies.

Ajo rrëfen sesi, disa vite më parë, kur ishte në një rol tjetër, u mbyll në një dhomë nga disa kolegë që kërkonin që të ndryshonte atë që kishte shkruar në një raport të ekzaminimit pas vdekjes për dikë që e kishin vrarë. Ajo nuk kishte mundur që ti denonconte këta persona për shkak të pozitës së lartë të njërit prej personave të përfshirë.

Një mjeke në një spital qeveritar në Punjab shpjegon se mund të jetë e vështirë për gratë të raportojnë abuzimin. “Komisionet [spitalore] që ekzistojnë shpesh përfshijnë të njëjtit mjekë që na ngacmojnë, ose miqtë e tyre. Pra, pse dikush do të bënte ankesë dhe do t’ia vështirësonte jetën vetes edhe më shumë?”

Në Pakistan nuk ka statistika zyrtare të disponueshme për sulmet ndaj punonjëseve shëndetësore gra. Megjithatë, një raport në Institutin Kombëtar të Shëndetit të SHBA-së në vitin 2022 tregon se deri në 95% e infermierëve në Pakistan janë përballur me dhunë në vendin e punës të paktën një herë në karrierën e tyre.

Poashtu në një raport në Pakistan Journal of Medicine and Dentistry, i cili citon një studim të vitit 2016 të spitaleve të sektorit publik në Lahore sugjeron se 27% e infermiereve kishin përjetuar dhunë seksuale. Ai citon gjithashtu një studim nga provinca Khyber Pakhtunkha veriperëndimore e Pakistanit që tregoi se 69% e infermiereve dhe 52% e mjekeve gra atje kishin përjetuar ngacmime seksuale në vendin e punës nga stafi.