Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Mungesa e terapisë zëvendësuese të hormoneve ndikon negativisht te gratë

QIKA 22.4.2022

Për shkak të mungesës së produkteve të terapisë zëvendësuese të hormoneve (TZH) që përdoren për të trajtuar simptomat e menopauzës, gratë kanë vështirësi të flenë dhe të punojnë, ka deklaruar ish-ministrja e kabinetit, Caroline Nokes.

Miliona gra kalojnë në menopauzë çdo vit, me shumë simptoma që mund të jenë të rënda, të tilla si humori i ulët, ankthi, vështirësitë në gjumë. Numri i recetave të mjekut për TZH në Angli është dyfishuar në pesë vitet e fundit në më shumë se 500,000 sosh në muaj. Kjo rritje ka shkaktuar që kjo terapi të hasë në mungesa. Duke folur gjatë seancës të enjten, Nokes, kryetare e komitetit të grave dhe barazive, bëri thirrje për një debat urgjent mbi këtë çështje për të siguruar që gratë mund të marrin furnizimet që i duhen.

“Ju lutem, a do të organizojë kryeparlamentari një debat për këtë çështje për t’u siguruar që farmacitë të punojnë krah për krah me DHSC në mënyrë që ne të marrim furnizimet që ne kemi nevojë”, pyeti ajo. “Mund të them se Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social është i vetëdijshëm për çështjet e furnizimit që po prekin një numër të kufizuar produktesh TZH. Qeveria po punon ngushtë me furnizuesit dhe palët e interesuara për t’i zgjidhur këto çështje sa më shpejt të jetë e mundur dhe për të siguruar që Shërbimi Kombëtar i Shëndetit të informohet rregullisht”, u përgjigj kryeparlamentari Mark Spencer.

Sipas hulumtimeve, simptomat e menopauzës dhe mungesa e mbështetjes detyrojnë disa gra të marrin pushim nga puna dhe madje të lënë punën e tyre. Një sondazh me 3,800 gra në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se shumica mendonin se menopauza dhe perimenopauza kishin pasur një ndikim të madh në karrierën e tyre.

Rreth 59% morën pushim nga puna për shkak të simptomave të tyre, ku 18% prej tyre ishin pushime më të gjata se tetë javë. Arsyet e pushimit përfshinin reduktimin e efikasitetit (45%), cilësinë e dobët të punës (26%) dhe përqendrimin e dobët (7%). Gjysma e atyre që morën të paktën tetë javë pushim nga puna dhanë dorëheqjen ose dolën në pension të parakohshëm. Tre në pesë gra (60%), thanë se vendi i tyre i punës nuk ofronte mbështetje për menopauzën.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.