Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Narges Mohammadi do të përballet me një gjykim të ri

QIKA 31.5.2024

Fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, në një mesazh dërguar nga burgu Evin thotë se ajo do të përballet me një gjykim të ri pasi akuzoi forcat e sigurisë për sulme seksuale ndaj grave.

Aktivistja Mohammadi, e cila i ka kryer tashmë 12 vjet burg, tha se gjykimi i ri lidhet me një audio-incizim, në të cilin ajo dënonte luftën e regjimit iranian kundër grave dhe ku kishte folur për mavijosjen e trupit e kishte rrëfyer mbi sulmin ndaj gazetares dhe studentes Dina Ghalaibaf.

Ghalibaf thuhet se u arrestua pasi akuzoi forcat e sigurisë që e kishin prangosur dhe sulmuar seksualisht një arrestimi të mëparshëm në një stacion metroje.

Mohammadi po bën thirrje që gjyqi i saj të jetë publik, me praninë e gazetareve/ëve të pavarur, aktivisteve/ëve të të drejtave të njeriut dhe avokatëve të saj, dhe bëri thirrje për sigurinë dhe mbrojtjen e dëshmitareve që lirshëm të mund të tregonin sulmet që kishin përjetuar, raporton BBC News.

Avokati i saj, Mostafa Nili, tha se gjykata kishte hedhur akuza të reja rreth “përhapjes së propagandës kundër Republikës Islamike”.

Mohammadi gjatë dy dekadave të fundit ka hyrë dhe dalë nga burgu për shkak të aktivizmit të saj kundër shtypjes së grave në Iran, sidomos kundër hixhabit të detyruar, është përballë me kufizime të ndryshme shoqërore e politike dhe nuk e ka takuar familjen e saj prej vitesh.

Autoritetet në Republikën Islamike në javët e fundit intensifikuan përpjekjet për të zbatuar një kod të rreptë islamik të veshjes për gratë dhe për të arrestuar ato që nuk i bindën, duke përdorur mbikëqyrjen përmes videove.

“Po e shkruaj këtë mesazh nga prapa mureve të larta dhe të ftohta të burgut. Populli iranian, me këmbëngulje, do të kapërcejë shtypjen dhe autoritarizmin,” tha Mohammadi.