Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në El Salvador një grua u dënua me 30 vjet burg për vrasje pas abortimit

QIKA 12.5.2022

Një gjykatë në El Salvador ka dënuar një grua që pësoi abort. Ajo u dënua me 30 vjet burg për vrasje të rëndë. Aktivistët thanë se ky rast ofron një paralajmërim të ashpër për gratë në Shtetet e Bashkuara, ku gjykata supreme po shqyrton përmbysjen e një vendimi kyç që legalizoi abortin.

Gruaja, e identifikuar vetëm si “Esme”, u dënua të hënën pas gati dy vitesh në paraburgim, pas arrestimit të saj kur kërkoi kujdes mjekësor në një spital publik. “Dënimi i Esmes është një hap prapa për përparimin që është bërë në kriminalizimin e paligjshëm të grave që vuajnë nga urgjencat obstetrike në El Salvador”, tha Paula Avila-Guillen, avokate ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për Barazinë e Grave.

Morena Herrera, presidentja e Grupit të Qytetarëve për Dekriminalizimin e Abortit e përshkroi dënimin si një goditje të rëndë dhe bëri thirrje që abortet të trajtohen si çështje e shëndetit publik dhe jo si një çështje penale. “Ne do të vazhdojmë të luftojmë në mënyrë që të gjitha gratë e kriminalizuara padrejtësisht nga këto rrethana të rifitojnë lirinë e tyre dhe të kenë mundësinë të rindërtojnë jetën e tyre”, tha ajo.

El Salvadori ka disa nga ligjet më të rrepta në botë sa i përket abortit. Ndryshe nga shumë vende të tjera të Amerikës Latine, El Salvadori nuk e lejon abortin në rastet kur fëmija ngjizet me përdhunim apo incest ose kur shëndeti i nënës apo fëmijës është në rrezik. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, gjatë dy dekadave të fundit, më shumë se 180 gra janë burgosur për vrasje si pasojë e aborteve nga urgjencat obstetrike.