Sipas raportit të fundit vjetor të Women’s Aid, vitin e kaluar kishte gjithsej 33,831 raste të dhunës në familje. 28,096 raste kishin të bënin me abuzimin ndaj grave, ndërsa 5,735 me abuzimin ndaj fëmijëve. Të dhënat e raportit tregojnë se 19,902 prej rasteve kishin të bënin me abuzimin emocional, 4,707 me abuzim fizik, 1,104 me abuzim ekonomik dhe 2,383 me abuzim seksual.
Edhe pse pati një rënie të numrit të thirrjeve të cilave iu përgjigj ekipi i linjës së ndihmës vitin e kaluar krahasuar me vitin 2020, telefonatat në 2021 ishin më të gjata. Raporti tregon se ka pasur një rritje prej 8% në kohën e shpenzuar nga ekipi i linjës së ndihmës duke folur me njerëzit.
Në vitin 2021, ekipi iu përgjigj më shumë se 21,100 kontakteve të mbështetjes direkte, krahasuar me 24,100 thirrjet vitin e kaluar. Shefja Ekzekutive e Ndihmës së Grave, Sarah Benson tha se kishte më shumë telefonata gjatë natës.
Organizata ka thënë se sistemet përgjegjëse për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje janë nën presion ekstrem dhe se qeveria duhet të veprojë urgjentisht për të rritur sigurinë e grave dhe fëmijëve të cenueshëm. Ministrja e Drejtësisë Helen McEntee aktualisht është duke punuar në një strategji të gjithë qeverisë për të luftuar dhunën në familje, seksuale dhe dhunën me bazë gjinore. Plani do të fokusohet në parandalimin dhe në sigurimin e mbështetjes më të mirë të viktimave.