Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në Mbretërinë e Bashkuar gratë e zeza kanë katër herë më shumë gjasa të vdesin gjatë shtatzënisë dhe lindjes

QIKA 23.11.2021

Në Mbretërinë e Bashkuar, gratë e zeza kanë katër herë më shumë gjasa të vdesin në shtatzëni dhe lindje sesa gratë e bardha, sipas raportit të fundit nga MBRRACE-UK. Kjo ka nxitur thirrjet për të trajtuar pabarazinë racore në kujdesin shëndetësor.

Raporti i publikuar nga MBRRACE-UK (Nënat dhe foshnjat: Reduktimi i rrezikut përmes auditimeve dhe hetimeve konfidenciale në Mbretërinë e Bashkuar) ka bërë thirrje për të trajtuar pabarazitë.

“Është e tmerrshme që këto pabarazi ende ekzistojnë. Grupe si i yni kanë ngritur alarmin për më shumë se 30 vjet. Edhe pse ka përparime në teknologji këto pabarazi kanë mbetur. Çdo jetë e shpëtuar është përparim i mirë, por çështja mbetet ende se pabarazia midis grave të zeza dhe të bardha është shumë e madhe. Koha për veprim është tani”, thotë Tinuke Awe, bashkëthemeluesja e Fivexmore, një grup fushatash i krijuar për të përmirësuar shëndetin e nënave me ngjyrë.

Sipas raportit, 191 gra, nga 2,173,810 që lindën, vdiqën gjatë ose deri në gjashtë javë pas shtatzënisë midis 2017 dhe 2019; ndërsa 495 gjatë ose deri në një vit pas shtatzënisë së tyre. Sëmundjet e zemrës, epilepsia dhe goditjet në tru ishin shkaku kryesor i vdekjes së nënave gjatë ose deri në gjashtë javë pas përfundimit të shtatzënisë.

Një hetim nga shoqata bamirëse Birthrights zbuloi se gratë me ngjyrë raportuan se gjatë përvojave mjekësore ndjehen të pasigurta si dhe se shqetësimet e tyre injorohen ose shpërfillen.

“Edhe pse ka pasur një rënie të vogël në shkallën e vdekshmërisë për gratë me ngjyrë në raportet e fundit të MBRRACE, pamja e zymtë nuk ka ndryshuar në më shumë se një dekadë. Ne mbetemi thellësisht të shqetësuar se të drejtat themelore të grave me ngjyrë për sigurinë, dinjitetin dhe barazinë në shtatzëni dhe lindje nuk po mbrohen as nuk po respektohen”, tha Amy Gibbs, shefja ekzekutive e Birthrights.