Dhoma e ulët e parlamentit, Duma, në Rusi, ka miratuar në lexim të parë një projektligj që kriminalizon ‘propagandën që i inkurajon njerëzit të mos kenë fëmijë’ dhe e bën përhapjen e informacionit që mbron dëshirën vullnetare për të mos pasur fëmijë të dënueshme me gjobë deri në pesë milionë rubla (rreth 47,000€).
Mbështetësit e këtij projektligji pretendojnë se argumentet publike kundër të pasurit fëmijë janë pjesë e përpjekjeve perëndimore për të dobësuar Rusinë duke inkurajuar rënien e popullsisë. “Në përgjithësi, ideologjia liberale është sabotim informativ antidemografik i mirëmenduar ndaj vendit tonë, një element i propagandës profesionale, një element, siç thashë më herët, i një lufte hibride, që synon pakësimin dhe shkatërrimin. popullsia”, tha Nina Ostanina, Kryetarja e Komitetit të Dumës Shtetërore për Familjen, Gratë dhe Fëmijët.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putini vazhdimisht ka bërë deklarata që mbrojnë familjet e mëdha dhe vitin e kaluar u bëri thirrje grave që “të bëjnë deri në tetë fëmijë”, shkruan Euronews.
Ky vendim është dënuar ashpër nga aktivistët për të drejta të njeriut, të cilët thanë se ligjvënësit po kërkonin shkakun e rënies së natalitetit në Rusi në ‘adresë të gabuar’. “Tash e shumë vite punojmë me gra nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe refuzimi për të pasur fëmijë është në radhë të parë për shkak të faktorëve materialë dhe ekonomikë”, tha Sofia Rusova, e cila është pjesë e një konsorciumi të OJQ-ve për të drejtat e grave.
Të drejtat e njeriut në Rusi po kufizohen vazhdimisht, siç kujtojmë ndalimin e shpërndarjes së informacionit LGBTIQ+, shpalljen të jashtëligjshme si ekstremiste të lëvizjes LGBTIQ+ dhe së fundmi miratimi i një projektligji që ndalon birësimin e fëmijëve rusë nga qytetarët e vendeve ku tranzicioni gjinor është i ligjshëm.