Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Në Shqipëri diskutohet për herë të parë mundësia e pushimit menstrual

QIKA 16.11.2023

Në Shqipëri për herë të parë është hapur diskutimi lidhur me pushimin e paguar gjatë periudhës së ciklit menstrual për vajzat dhe gratë. Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka propozuar një ndryshim të rëndësishëm në trajtimin e çështjeve të shëndetit të grave. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, teksa po diskutohej buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, Braçe propozoi njohjen e periudhës menstruale si pushim të paguar për gratë dhe vajzat.

Ky propozim përfshin gjithashtu heqjen e tatimit në vlerën e shtuar për produktet menstruale. Ai kërkoi që pakoja higjeno-sanitare e grave dhe vajzave për ciklin menstrual të përjashtohet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, për të cilin tha se nuk i shton asgjë buxhetit të shtetit. “Nuk po kërkoj atë që po bën Evropa që ta paguaj qeveria këtë gjë, një herë në muaj, por minimumi po kërkoj që të përjashtohet nga tatimi”, shtoi Braçe.

Propozimi është shoqëruar me reagime të ashpra seksiste, përqeshëse e stigmatizuese në rrjetet sociale. Për më tepër, një gjinekologe-obstetër, Dr. Enriketa Kroi, ka shprehur qëndrime të ngjashme në një intervistë për Top Channel. Ajo theksoi se cikli menstrual nuk mund të konsiderohet sëmundje dhe shtoi se sistemi shëndetësor shqiptar ka çështje më të rëndësishme e më urgjente për të adresuar. Në një pjesë të femrave, sidomos te vajzat e reja dhe të cilat nuk kanë kryer lindje, shpesh është i dhimbshëm. Por edhe nga ky grup, pjesa dominuese e tyre trajtohet me qetësues dhe me medikamente. Aktualisht kjo dhimbje është vetëm ditën e parë të ciklit” tha ajo.

Ky diskutim vie si vazhdimësi e diskutimeve lidhur me këtë temë në vende tjera evropiane si Spanja dhe Italia dhe nxjerr në pah sfidat komplekse me të cilat përballet shoqëria shqiptare në lidhje me barazinë gjinore dhe trajtimin e çështjeve të shëndetit të grave.