Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Në Turqi protestohet kundër tërheqjes nga Konventa e Stambollit

QIKA 21.3.2021

Turqia është tërhequr nga një marrëveshje që supozohet të mbrojë gratë nga dhuna. Mijëra gra protestuan të shtunën kundër këtij vendimi.

Turqia është tërhequr nga e ashtuquajtura Konventa e Stambollit, e cila supozohet të mbrojë gratë nga dhuna. Një vendim përkatës i Presidentit Rexhep Tajip Erdogan u botua në Gazetën Zyrtare. Konventa e Këshillit të Evropës e vitit 2011 është marrëveshja e parë detyruese në botë kundër dhunës ndaj grave, kundër përdhunimit martesor, dhunës në familje deri tek gjymtimi i organeve gjenitale të grave. Marrëveshja u prezantua për nënshkrim më 11 maj 2011 në Stamboll. Deri tani ajo është nënshkruar nga 45 shtete dhe Bashkimi Evropian; Gjermania ishte një nga të parat që e nënshkroi.

Mijëra gra protestuan të shtunën në Turqi kundër vendimit të autoriteteve për tërheqje nga Konventa që synon mbrojtjen e grave nga dhuna.

Protestueset kërkuan nga presidenti turk, Reccep Tayip Erdogan që të kthejë vendimin e tij për tërheqje nga traktati. “Përmbyse vendimin, zbato traktatin!”, brohoritën ato gjatë një proteste në lagjen Kadikoy, në anën aziatike të Stambollit.

Politikanët konservatorë në Turqi kërkuan një dalje nga konventa me arsyetimin se marrëveshja dëmton unitetin e familjes dhe promovon divorcin. Ministrja për Familjen, Punën dhe Politikën Sociale, Zehra Zumrut, shkroi në Twitter se garantimi i të drejtave të grave në ligjet dhe kushtetutën turke është i mjaftueshëm. “Sistemi ynë i drejtësisë është dinamik dhe mjaft i fortë për të zbatuar rregullore të reja nëse është e nevojshme”, raporton DW.

Hap i madh prapa

Këshilli i Evropës tha se ky është një “lajm shkatërrues” dhe një “hap i madh prapa” në përpjekjet për të mbrojtur gratë. Dalja rrezikon mbrojtjen e grave jo vetëm në Turqi, por “në të gjithë Evropën dhe më gjerë”, tha KE në një deklaratë.

Fenomen i përhapur

Dhuna ndaj grave është ende një fenomen i përhapur në Turqi. Sipas organizatës “Ne do t’i Ndalojmë Vrasjet Ndaj Grave” vetëm gjatë vitit të kaluar në Turqi u vranë nga burrat të paktën 300 gra. Më 8 Mars Presidenti Erdogan tha se ai do të marrë veprime më të forta kundër dhunës ndaj grave dhe të forcojë familjen, themeli i së cilës është “burri dhe gruaja”, si një institucion.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.