Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Nënat vetushqyese preken më shumë nga varfëria dhe përjashtimi social

QIKA 15.5.2024

Sipas raportit të Rrjetit Evropian kundër Varfërisë (EAPN), për shkak të pagave të ulëta dhe përgjegjësive të kujdesit, një nga grupet më të cenueshme nga varfëria dhe përjashtimi social janë gratë, me theks të veçantë nënat vetushqyese.

Cenueshmëria ndaj varfërisë dhe përjashtimit social theksohet edhe më shumë tek nënat vetushqyese, të cilat përveç punës së kujdesit, punës së tyre me orar të plotë apo të pjesshëm ju duhet të mbulojnë shpenzimet e jetesës së fëmijëve të tyre dhe strehimin.

Humbja e biznesit familjar kur ajo ishte adoleshente dhe të qenit nënë vetushqyese e pesë fëmijëve, e ka shtyrë Geneviève Baert drejt varfërisë. Baert, e cila jeton në Belgjikë, për Euronews ka treguar se si varfëria ka ndikuar në jetën dhe mundësitë e fëmijëve të saj. “Kam pasur përvojë shumë të keqe me shkollat, sepse fëmijët nga grupet ekonomikisht të pafavorshme diskriminohen vazhdimisht. Ka munguar ndjeshmëria e shkollave dhe prindërve.”, tha ajo.

Sipas presidentit të EAPN, Carlos Susias, diskriminimi është strukturor. “Në të gjithë parametrat e varfërisë ekziston një hendek në favor të burrave”, tha ai për Euronews. Përshembull, raporti sugjeron se në Austri gjysma e grave punojnë me kohë të pjesshme sepse ju duhet të kujdesen për fëmijët e tyre, çka i bën ato financiarisht të varura nga partnerët e tyre.

Raporti i EAPN thekson taksimin më të drejtë si një mjet për të shmangur margjinalizimin. Presidenti Susias thotë se duhet të ndiqen politika tatimore që lejojnë taksa të veçanta negative për familjet në situata të cenueshme, respektivisht prindërit vetushqyes.