Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Nga punëdhënësit kërkohet mbështetje për gratë në menopauzë

QIKA 23.2.2024

Mes shqetësimeve për numrin e grave që po largohen nga puna për shkak simptomave të menopauzës, punëdhënësit mund të paditen për diskriminim të aftësisë së kufizuar nëse nuk arrijnë të bëjnë “rregullime të arsyeshme”, sipas udhëzimeve të reja të lëshuara nga Komisioni për Barazi dhe të Drejtat e Njeriut (EHRC) në Britani.

Nëse simptomat kanë një ndikim afatgjatë dhe thelbësor në aftësinë e një gruaje për të kryer aktivitete normale të përditshme, ato mund të konsiderohen si paaftësi, thotë EHRC.

Sipas Aktit të Barazisë 2010, një punëdhënës do të jetë nën detyrimin ligjor për të bërë rregullime të arsyeshme dhe për të mos diskriminuar punëtoret.

Udhëzimi gjithashtu thekson se punëtoret që përjetojnë simptoma mund të mbrohen nga trajtimi më pak i favorshëm në lidhje me simptomat e tyre të menopauzës në bazë të moshës dhe gjinisë.

Hulumtimet tregojnë se një në 10 gra të anketuara që kanë punuar gjatë menopauzës kanë lënë pozitën e tyre për shkak të simptomave që mund të përfshijnë ankthin, ndryshimet e humorit, rritjen e temperaturës trupore dhe menstruacionet e parregullta, raporton The Guradian.

Dy të tretat e grave që punojnë midis moshës 40 dhe 60 vjeç me përvojë të simptomave thanë se kanë pasur një ndikim kryesisht negativ në jetën e tyre të punës, zbulon studimi i bërë nga Instituti Chartered i Personelit dhe Zhvillimit.

Baronesha Kishwer Falkner, kryetare e Komisionit të Barazisë dhe të Drejtave të Njeriut, tha: “Si mbikëqyrëse e barazisë në Britani, ne jemi të shqetësuar edhe nga numri i grave që raportojnë se janë detyruar të largohen nga një rol për shkak të simptomave të tyre të lidhura me menopauzën dhe sa shumë prej tyre nuk ndihen mjaft të sigurta për të kërkuar rregullime në vend të punës.”

“Një punëdhënës që kupton detyrat e tyre ligjore është themeli i barazisë në vendin e punës. Por është e qartë se shumë mund të mos e kuptojnë plotësisht përgjegjësinë e tyre për të mbrojtur stafin e tyre që kalon në menopauzë. Udhëzimi ynë i ri përcakton këto detyrime ligjore për punëdhënësit dhe ofron këshilla se si ata mund të mbështesin më së miri stafin e tyre,” shton Falkner.

Menopauza është një pjesë e natyrshme e plakjes e cila ndodh kur menstruacionet ndalojnë për shkak të uljes së niveleve të hormoneve, zakonisht midis moshës 45 dhe 55 vjeç.

“Shpresojmë që ky udhëzim të ndihmojë që çdo grua që kalon në menopauzë të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe të mund të punojë në një mjedis mbështetës dhe të sigurt,” thotë Kishwer Falkner.