Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Një libër për fëmijë shkakton debat për të drejtat e LGBTQ në Hungari

QIKA 20.2.2021

Libri i quajtur “Një përrallë për të gjithë” është një antologji e ritregimeve të përrallave tradicionale, të prezantuara me personazhe më të larmishëm dhe gjithëpërfshirës, përfshirë persona LGBTQ. Ky libër i shkruar nga autorët hungarez Dorottya Redai dhe Boldizsar Nagy në shtator të vitit të kaluar, u shit në më shumë se 1500 kopje vetëm brenda 2 jave.

Libri përfshin 17 tregime, që shfaqin personazhe të ndryshme që dallojnë nga gjinia, prejardhja etnike, fetare dhe socio-ekonomike. Ky është libri i parë për fëmijë për personat LGBTQ në gjuhën hungareze. Autorët thonë se donin t’u jepnin zë atyre që shpesh mbesin pa zë, raporton TIME.

Megjithatë, menjëherë pas botimit ky libër u bë shënjestër e sulmeve homofobike nga politikanët, përfshirë këtu edhe kryeministrin hungarez Viktor Orban. Që kur Orban u zgjodh kryeministër në vitin 2010, komuniteti LGBTQ është sulmuar gjithnjë e më shumë. Kushtetuta e re e miratuar në 2012 përcaktoi “institucionin e martesës si bashkimin e një burri dhe një gruaje”, dhe “familjen si bazën e mbijetesës së kombit”, duke përjashtuar çiftet e të njëjtit seks.

Sidoqoftë, “Një Përrallë për të Gjithë” duket se ka mbledhur mbështetje të konsiderueshme në publik nga prindërit, mësuesit dhe shitësit e librave në të gjithë Hungarinë. Botuesit e librit e shohin atë si një shenjë të vogël shprese mes një sfondi të errët të të drejtave LGBTQ në vend. “Duket sikur libri po bëhet një simbol i rezistencës kundër shtypjes dhe diskriminimit”, thotë Nagy. Autorët thonë se kanë pranuar kërkesa të shumta për ta përshtatur librin në një libër audio, eBook dhe potencialisht për ta përkthyer.

“Kjo klimë ksenofobike, homofobike, antisemitike, raciste dhe seksiste ndoshta do të marrë fund vetëm kur të mbarojë sundimi i kësaj qeverie”, thotë Redai duke shtuar se libri duhet të shërbejë si frymëzim për njerëzit e tjerë që të vazhdojnë të kundërshtojnë këtë klimë.”

Nagy, redaktori i librit thotë se përmes librit donin të publikonin histori që pasqyrojnë dhe respektojnë jetën e të gjithë të rinjve.