Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

OKB e konsideron të turpshëm përjashtimin e vajzave afgane nga shkollat e mesme

QIKA 20.9.2022

Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje pushtetit të talibanëve në Afganistan që të rihapin shkollat për vajzat e klasave 7-12, duke e quajtur të turpshëm përjashtimin e tyre nga shkolla e mesme.

OKB-ja tha se është gjithnjë e më e shqetësuar se politika, së bashku me kufizimet e tjera për liritë themelore, do të kontribuojnë në një thellim të krizës ekonomike së vendit në formën e pasigurisë, varfërisë dhe izolimit më të madh.

Një vit pasi talibanët morën pushtetin në Afganistan, vajzat adoleshente ende privohen nga shkolla dhe grave u kërkohet të mbulohen nga koka tek këmbët në publik. Grupi fetar nuk ka arritur të përmbushë premtimet e ndryshme për të mundësuar kthimin e vajzave në shkolla. Ky ndalim synon vajzat nga klasat 7-12, duke prekur kryesisht ato të moshave 12 deri në 18 vjeç.

 “Ky është një përvjetor tragjik, i turpshëm dhe krejtësisht i shmangshëm”, tha Markus Potzel, ushtrues detyre i kreut të misionit të OKB-së në Afganistan.

Talibanët rihapën shkollat e mesme për djemtë, ndërsa i udhëzuan vajzat të qëndronin në shtëpi. OKB vlerëson se më shumë se një milion vajza janë ndaluar të ndjekin shkollën e mesme gjatë vitit të kaluar.

“Përjashtimi i vazhdueshëm i vajzave nga shkolla e mesme nuk ka asnjë justifikim të besueshëm dhe nuk ka asnjë paralele askund në botë. Është thellësisht e dëmshme për një brez vajzash dhe për të ardhmen e vetë Afganistanit”, tha Potzel, i cili është gjithashtu zëvendës përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Afganistanin.