Në vigjilje të zgjedhjeve nacionale në Kosovë, organizatat e shoqërisë civile po kërkojnë nga partitë politike që të përqendrohen në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave. Kërkesat kryesore organizatat nënshkruese i kanë përmbledhur në dokumentin “Manifesti për Zbatimin e të Drejtave të Njeriut dhe Barazisë Gjinore në Kosovë”, i cili është publikuar të premten.
Kërkesat e listuara përfshijnë mbajtjen e fushatës zgjedhore pa gjuhë të urrejtjes, votimin dhe respektimin e Ligjit të Punës, votimin e Kodit Civil, zbatimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor sipas Ligjit për Barazi Gjinore, zbatimin e Ligjit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, rritjen e qasjes në kopshte publike, qasje në shëndetësi, sigurime shëndetësore dhe shëndet riprodhues, sistem arsimor që ndryshon normat gjinore dhe respektimin e parimeve të Ligjit për Barazi Gjinore drejt rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë.
“Me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme, ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që të përqendrohen në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të grave, duke e konsideruar këtë si një prioritet kombëtar dhe shoqëror. E ardhmja e shoqërisë sonë varet nga ndërtimi i një sistemi që garanton barazi, drejtësi dhe respekt për të gjithë qytetarët, pa dallim gjinie, moshe, etnie apo statusi socio-ekonomik.
Ky manifest përmbledh kërkesat kryesore që partitë politike duhet t’i përfshijnë dhe t’i zbatojnë në platformat dhe politikat e tyre. Këto kërkesa përfaqësojnë zërin e grave dhe vajzave në Kosovë, të cilat vazhdojnë të përballen me sfida të mëdha në sferat sociale, ekonomike dhe politike.
Kërkojmë nga të gjitha partitë politike që të integrojnë kërkesat tona në programet e tyre zgjedhore dhe t’i trajtojnë ato si angazhime konkrete për ndryshime. Përkushtimi ndaj këtyre kërkesave do të tregojë seriozitetin dhe vullnetin e vërtetë të partive për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.”, thuhet në komunikatën e përbashkët të organizatave për të drejtat e njeriut.
Manifestin e plotë e gjeni këtu.