Qeveria e Pakistanit ka hequr taksën e shitjes për produktet menstruale dhe kontraceptivët, njoftoi Ministri i Informacionit, Attaullah Tarar, duke theksuar se qeveria synon të ofrojë lehtësim për qytetarët përmes masave të tilla, duke ulur taksën për këto produkte nga 18 për qind në 0 për qind.
Organizatat për të drejtat e grave dhe aktivistët në Pakistan kanë zhvilluar prej vitesh një fushatë për shfuqizimin e “taksës së menstruacioneve”. Ky term i referohet tarifës shtesë që qeveria i shton çmimit me pakicë të produkteve menstruale për gratë, raporton Arab News.
“Sa i përket grave, ishte një kërkesë shumë e madhe në këtë vend që t’i jepej fund taksës rozë (i referohet prirjes që produktet e marketuara për gratë të jenë më të shtrenjta se produktet e ngjashme për burrat)”, u tha Tarar ligjvënësve gjatë një seance të Asamblesë Kombëtare të dielën.
Ministri Tarar tha se rritja e popullsisë është një nga sfidat më serioze me të cilat po përballet vendi, duke shtuar se qeveria ka hequr gjithashtu taksën për kontraceptivët, duke e ulur nga 18% në 0% për vitin e ardhshëm fiskal.
“Prandaj, ky është një buxhet lehtësues”, tha Tarar. “Ky është një buxhet për një epokë në të cilën po hyjmë në një periudhë prosperiteti”.
Mahwari Justice, një organizatë e njohur në Pakistan që angazhohet për barazinë menstruale dhe të drejtat riprodhuese të grave, e mirëpriti këtë vendim. “Ky është një zhvillim i mirëpritur për miliona persona që menstruojnë në mbarë Pakistanin”, shkroi organizata.