Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Pandemia COVID-19 mundësoi forma të reja të abuzimit ekonomik të grave në Indi

QIKA 1.12.2023

Hulumtimi i Punita Chowbey – hulumtuese e lartë në Universitetin Sheffield Hallam, e cila ka studiuar mbi dhunën ekonomike në Indi, dëshmon se dhuna u rrit ndjeshëm gjatë periudhës së distancimit social dhe kufizimeve në lëvizje. Kjo jo vetëm rezultoi në zvogëlimin e hapësirave të sigurta për gratë dhe vajzat, por edhe i bllokoi ato në hapësira ku ato shfrytëzoheshin ekonomikisht më lehtë.

Abuzimi ekonomik ndaj grave përfshinë sjelljen kontrolluese e shtrënguese nga partneri i një gruaje e nganjëherë edhe nga prindërit apo anëtarët e tjerë të familjes së tij, duke kërcënuar sigurinë e saj ekonomike.

Hulumtimi zbuloi se abuzimi ekonomik i grave ishte i zakonshëm pavarësisht nga klasa, kasta, feja, arsimi ose statusi i punësimit.

Pandemia u dha burrave abuzues mënyra të reja për të kontrolluar dhe abuzuar financat e grave. Përgjatë izolimit ata mund të kishin qasje në telefonat e grave duke kontrolluar kështu mënyrën se si ato punonin apo komunikonin me kolegët, transaksionet e rrogave si dhe pengimin e grave nga qasja në grupet që i mbështesin, përfshirë edhe familjet e tyre.

Hulumtimi thekson nevojën urgjente për të adresuar abuzimin ekonomik duke hapur debatin lidhur me paratë në familje dhe idenë mashkullore të shpenzimit të tyre.