Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Pandemia ndikoi në rritjen e numrit të vetëvrasjeve të grave japoneze

QIKA 4.3.2021

Gjatë pandemisë gratë në Japoni janë përballur me pabarazi të thella në ndarjen e punëve të shtëpisë dhe kujdesit ndaj fëmijëve dhe poashtu kanë vuajtur nga sulmet seksuale dhe dhuna në familje. Masat izoluese, qëndrimi në shtëpi dhe shmangia e vizitave familjare kanë përkeqësuar gjendjen e shëndetit mendor. Vitin e kaluar 6976 gra në Japoni kanë bërë vetëvrasje, 15% më shumë se në vitin 2019.

Gjatë pandemisë gratë kanë pësuar humbje disproporcionale të punës, për arsye se ato punonin në sektorët më të prekur nga masat e kontrollit, përfshirë restorantet dhe hotelet. Në nëntë muajt e parë të vitit të kaluar, 1.44 milion punëtorë humbën punën, ku më shumë se gjysma e tyre ishin gra.

Jo shumë kohë pasi Japonia filloi luftën e saj kundër Covid-19, Nazuna Hashimoto po përballej me sulme paniku. Palestra ku ajo punonte si trajnere personale u mbyll me rekomandim të qeverisë, me ç’rast Hashimoto u detyrua të ndërprej punën dhe kjo ndikoi në gjendjen e saj emocionale dhe mendore. Kështu, në korrik të vitit 2020 Hashimoto tentoi të vriste veten, mirëpo i dashuri i saj i shpëtoi jetën. Kjo ndikoi që ajo të flasë publikisht për përvojën e saj në mënyrë që të zhdukë stigmën që lidhet më të folurit për shëndetin mendor në Japoni.

Sipas drejtorit të Shoqatës Japoneze për Shërbime të Shëndetit Mendor, Yuki Nishimura, gratë mbajnë barrën kryesore për të parandaluar virusin, pasi që ato duhet të kujdesen për pastërtinë dhe shëndetin e familjes.

“Për fat të keq tendenca aktuale është të fajësohet viktima” tha Michiko Ueda, profesor i shkencave politike në Universitetin Waseda në Tokio i cili ka bërë hulumtime mbi vetëvrasjen. Sipas sondazheve që Ueda kishte bërë vitin e kaluar, 40% e të anketuarve kishin shprehur shqetësimin e tyre për presionin shoqëror që do të ushtrohej mbi ta nëse do të infektoheshin nga virusi, raporton The New York Times.

Pasi Nazuna Hashimoto i mbijetoi përpjekjes së saj për vetëvrasje, ajo po flet hapur për depresionin dhe shëndetin mendor me qëllim që të ndihmojë të tjerët të cilët mund të jenë të prekur nga kjo çështje. Hashimoto së bashku me të dashurin e saj, bënë një aplikacion që u siguron terapistë atyre që kanë nevojë për këshillim, duke rekrutuar profesionistë me përvojë si dhe terapistë që janë në fillim të karrierës, me një kosto të përballueshme për klientët. ‘Vendi është i përqendruar kryesisht në lëvizjen e grave në shkallët e karrierës dhe mirëqenies së tyre ekonomike. Por unë do të doja të theksoja shëndetin mendor të grave’ tha Hashimoto.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.