Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Përmes vendimit historik, Meksika dekriminalizon abortin

QIKA 8.9.2021

Gjykata Supreme e Meksikës ka vendosur se dënimet penale për ndërprerjen e shtatzënisë janë anti-kushtetuese. Vendimi, për shtetin verior të Coahuila, parandalon ndjekjen penale të grave që kryejnë abort.

Përveç në 4 shtete të vendit, në pjesën tjetër aborti aktualisht është i kufizuar ashpër. Gjyqtari i Gjykatës Supreme Luis Maria Aguilar e përshkroi masën e re si një “hap historik për të drejtat e grave”. Të martën, gjykata urdhëroi shtetin e Coahuila të heqë sanksionet për abortin nga kodi i tij penal. Vendimi mund të hapë rrugën drejt dekriminalizimit të aborteve në të gjithë vendin.

Grupi Informues mbi Zgjedhjen Riprodhuese, i cili bën fushata për të drejtat e abortit, e përshkroi vendimin si “historik”. “Ne shpresojmë që në të gjithë vendin gratë dhe njerëzit me aftësinë për të mbajtur një fëmijë të kenë kushtet dhe lirinë për të përcaktuar fatin e tyre riprodhues”, u shprehën përfaqësues nga organizata.

Për më tepër, vendimi do të thotë që gratë që u burgosën për aborte do të lirohen menjëherë. Vendimi ka të ngjarë të zemërojë politikanët konservatorë në Meksikë si dhe Kishën Katolike. Sidoqoftë, ndikimi i kishës është zvogëluar vitet e fundit dhe qeveria e konsideron veten laike.