Alb Eng
Për QIKA 1≠1

Djemtë po braktisin shkollimin parauniversitar më shumë se sa vajzat

Blenda Asllani 26.1.2024

Të gjithë fëmijët në Kosovë, pavarësisht përkatësisë gjinore, obligohen ligjërisht që të përfundojnë shkollimin fillor dhe atë të mesëm të ulët. Ndërsa sa i përket shkollës së mesme, përfundimi i saj nuk është obligim ligjor por mbetet e vetmja rrugë drejt mundësive profesionale dhe studimeve të larta.

Statistikat tregojnë se në Kosovë, djemtë e braktisin më shpesh shkollimin, sidomos shkollën e mesme. Sipas Prishtina Insight, gjatë vitit shkollor 2020/2021 në Kosovë, arsimin fillor e kanë braktisur gjithsej 109 nxënës, prej tyre 63 djem dhe 43 vajza. Ndërkohë, shkollën e mesme e kanë braktisur 883 nxënës, prej të cilëve 688 djem dhe 195 vajza.

Ky hendek gjinor është ngjyrim i nuancave të rrënjosura në rolet tradicionale gjinore, presionin socio-ekonomik dhe pritshmëritë shoqërore.

Djemtë në këndvështrimin tradicional të familjeve shqiptare kryesisht perceptohen si mbajtës të familjes dhe si të tillë pritet të sigurojnë të ardhura për familjen. Rrjedhimisht, djemtë, qysh në moshë të hershme shtyhen drejt punësimit në lloje të punës  të cilat zakonisht nuk kërkojnë kualifikime të larta arsimore.

Presioni ekonomik që djemtë të hyjnë para kohe në fuqinë punëtore është përkeqësuar edhe më shumë pas pandemisë globale COVID 19 dhe inflacionit të lartë ekonomik që e pasoi, duke rënduar edhe më shumë ekonomitë familjare në Kosovë.

Në familjet që luftojnë për mbijetesë, të cilat kanë pak anëtarë të familjes ose asnjë të punësuar, braktisja e shkollës nga djemtë për të punuar nuk është thjesht zgjedhje, ndonjëherë bëhet domosdoshmëri.

Ky hendek është veçanërisht i theksuar në zonat e thella rurale dhe ekonomikisht të pafavorizuara, ku edhe mundësitë për arsim por edhe për punësim janë të kufizuara dhe arritja tek të ardhurat e menjëhershme (shpesh punësimi si punëtorë krahu) kanë përparësi karshi arritjeve afatgjata arsimore.

Ndërkohë qasja e arsimimit të vajzave në Kosovë ka evoluar. Prindërit inkurajojnë vajzat që të përfundojnë shkollën e mesme dhe të vazhdojnë studimet e larta. Ky ndryshim vjen pjesërisht për shkak të rritjes së ndërgjegjësimit lidhur me arsimimin, punësimin dhe pavarësinë financiare të vajzave. Megjithatë, ajo buron thelbësisht nga besimi se djemtë, jo vajzat, duhet të mbajnë përgjegjësinë financiare për familjet e tyre.

Kjo dikotomi jo vetëm që vendos një barrë të panevojshme për djemtë që të heqin dorë nga arsimimi i tyre, por gjithashtu kufizon perspektivat e tyre arsimore e profesionale dhe fuqizon stereotipet gjinore.

Pritshmërive të tilla shoqërore nuk ua shohin sherrin veç djemtë. 

Ndërkohë inkurajimi i familjeve që vazjat të ndjekin arsimin meqë janë më pak përgjegjëse për mbështetjen e familjes i kontribuon veç nënvlerësimit të kontributit të grave në familje dhe shoqëri.

Lufta ndaj këtyre faktorëve duhet të jetë e përbashkët dhe e shumanshme.

Së pari, duhet të sfidojmë e ndryshojmë rolet gjinore të rrënjosura thellë nga rregullimi shoqëror patriarkal. Kjo mund të bëhet vetëm përmes edukimit e ndërgjegjësimit të vazhdueshëm të të gjitha grupeve shoqërore lidhur me pritshmëritë dhe normat shoqërore që vendosin padrejtësisht barrën e mbështetjes ekonomike mbi djemtë qysh në moshë të re.

Së dyti, në nivelin institucional nevojitet dizajnimi i politikave sociale për të mbështetur financiarisht familjet në nevojë, sepse kjo do të lehtësojë presionin ndaj djemve për të lënë shkollën për punë, dhe programeve arsimore që fokusohen tek djemtë që përballen me presion për të braktisur shkollën për shkaqe ekonomike. Kjo mund të përfshijë ofrimin e mundësive të trajnimeve profesionale që inkurajojnë vazhdimin e shkollim dhe programet e punësimit pas shkolle.

Eliminimi i ngjyrimit gjinor të braktisjes së shkollimit është përgjegjësi e secilit prej nesh. Duhet që të gjithë së bashku të punojmë për të krijuar një interpretim të ri shoqëror i cili bazohet në drejtësi dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Të gjithë fëmijët e kanë vendin në shkollë!

Çka duhet të rregullohet në Rregulloren Kundër Ngacmimeve Seksuale në UP?

18.12.2023

Universiteti i Prishtinës ka funksionuar për më shumë se 52 vjet pa një rregullim të brendshëm për n

Punë n’punë e punë n’shpi

8.12.2023

“Puna e papaguar” është term vetshpjegues. Në shumicën e rasteve i referohet punës ose shërbimeve që

Pse vajzat nuk po zgjedhin shkollat profesionale?

6.12.2023

Në Kosovë, ekzistojnë 66 shkolla profesionale që ofrojnë 140 profile të ndryshme duke përfshirë drej

Trajtimi i rasteve të dhunës në familje nëpër prokuroritë e Kosovës

31.10.2023

Për të arritur një shoqëri të lirë nga dhuna në familje, është thelbësore që Kosova të vazhdojë përp

“Unë po ecja, ai më vinte prapa” – ngacmimi seksual dhe raportimi

25.10.2023

"Unë po ecja, ai më vinte prapa, dikur filloi të më thotë fjalë të pista e ofenduese, ndihesha e fri

Çfarë nuk mund të bëjnë gratë në hapësirat publike?

5.10.2023

Gratë negociojnë me frikën dhe rreziqet përgjatë shfrytëzimit të hapësirave publike në çdo qytet të