“Nuk mendoj se dorëheqja jonë do të kontribuonte në fuqizimin e gruas”, deklaroi Xhelal Sveçla në konferencën ku, pas 72 orësh pritjeje, prezantoi një raport që kryesisht rendiste dështimet institucionale të dokumentuara nga vetë Arlinda dhe të raportuara tashmë në media. Në vend të llogaridhënies, ministri na ofroi një leksion për fuqizimin e grave. Thua se dorëheqja po i kërkohej për të avancuar barazinë gjinore, e jo për të marrë përgjegjësi politike për dështimet që vetë po i pranonte. Sa lehtë bëhet fuqizimi i grave argument për ta mbajtur pushtetin, edhe kur ai dështon t’i mbrojë ato.
Arlinda Zekaj kishte kërkuar mbrojtje nga shteti, por e vranë përkundër paralajmërimeve dhe urdhrave të mbrojtjes që duhej ta mbronin. Vrasja e saj nxori në rrugë qindra qytetare e qytetarë në Prishtinë e qytete të tjera të Kosovës, që protestuan kundër dhunës ndaj grave dhe mosveprimit institucional.
Kërkesa për dorëheqjen e Sveçlës nuk buron nga bindja se largimi i një ministri do të ndalë vrasjet dhe dhunën, por nga nevoja për llogaridhënie politike për dështimet e shtetit. Në fund të ditës, pozita që mban Sveçla e obligon atë ta trajtojë sigurinë e grave si çështje të sigurisë publike dhe të ndërhyjë në mekanizmat institucionalë që riprodhojnë dhe mirëmbajnë dhunën ndaj grave. Mbrojtja e grave realizohet përmes garantimit të sigurisë së tyre dhe çmontimit të strukturave që e rrezikojnë atë. Dështimi për të garantuar sigurinë e qytetarëve (lexo: për ta kryer detyrën e tij) është politik dhe duhet të pasohet me lirimin nga pozita.
“Arlinda kishte kërkuar mbrojtje. Institucionet kishin detyrimin të vepronin”, deklaroi Xhelal Sveçla, me distancën e një vëzhguesi që denoncon dështimet e shtetit, e jo të një ministri që drejton institucionin përgjegjës për sigurinë publike. Derisa konstatonte dështimet e institucionit që drejton, ai fliste sikur të ishte njëri nga aktivistët apo qytetarët që protestonin para ndërtesës së Qeverisë ose në Pejë.
Raporti evidenton se urdhri i parë për mbrojtjen e Arlindës nuk ishte zbatuar, zbatimi i të dytit ishte vonuar dhe kërkesa për rivlerësimin e rrezikut ndaj jetës së saj kishte mbetur pa përgjigje. Pra Arlindën nuk e vranë sepse institucionet nuk e dinin se ishte në rrezik. Ato ishin paralajmëruar, por nuk kishin vepruar siç e kërkonte detyrimi i tyre për ta mbrojtur.
Si llogaridhënie, ministri na paraqiti suspendimin e 11 zyrtarëve policorë. Në mesin e tyre është edhe togeri Faruk Muqolli, biseda e Arlindës me të cilin u bë publike, teksa ai refuzonte të përmbushte detyrën e tij, ndërsa Arlinda i lutej ta zbatonte urdhërmbrojtjen, respektivisht vendimin e gjykatës. Por as një zyrtar i vetëm, as njëmbëdhjetë të tjerë nuk mund të shërbejnë si alibi për dështimin e një sistemi të tërë. Suspendimet, sado të domosdoshme për hetimin e përgjegjësive individuale, nuk mund të shërbejnë si zëvendësim për llogaridhënien politike. Sepse përgjegjësia nuk kufizohet vetëm te zyrtarët që kanë dështuar ta zbatojnë ligjin, por duhet të përfshijë edhe ata që kanë mandatin për ta mbikëqyrur dhe reformuar sistemin.
“Nuk jam i obligum me u marrë me ty” nuk është mendësia veç e Farukut. Është mendësia e shtetit që nuk e trajton seriozisht jetën dhe sigurinë e grave. Faruku dhe ‘farukët’ janë produkt i një sistemi të kalbur, të cilin Sveçla as nuk e ka luftuar, as nuk ka dëshmuar ndonjë gatishmëri politike për ta reformuar.
Javën e kaluar, sipas raporteve të Policisë së Kosovës, janë raportuar tri raste të mosrespektimit të urdhrave mbrojtës në Fushë Kosovë, Prishtinë dhe Malishevë. Në të tri rastet, urdhrat e gjykatës nuk kanë arritur t’i mbrojnë gratë nga kërcënimet dhe dhuna e burrave ndaj të cilëve janë lëshuar këta urdhra. Ngjashëm, vetëm gjatë javës që lamë pas janë raportuar 44 raste të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave. Ndërsa vetëm këtë vit, tetë gra janë vrarë nga burrat në Kosovë.
Po ashtu, Sveçla tha se, sipas raportit i cili i është dorëzuar edhe kryeministrit Kurti, janë evidentuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë që monitorohen nga Policia e Kosovës, ndërsa 70 raste janë nën mbikëqyrje elektronike. Këtu lind pyetja: përgjegjësi e cilëve zyrtarë policorë janë këto dështime? Cilët zyrtarë të tjerë duhet të shkarkohen? Mos vallë duhet t’i kthejmë sytë kah ‘elefanti në dhomë’, pra kah problemi strukturor që kërkon përgjegjësi politike, mbikëqyrje institucionale dhe reformim të mekanizmave që duhet të garantojnë sigurinë e grave? Këto shifra dhe këto dështime dëshmojnë se llogaridhënia nuk mund të nisë nga bishti, duke ndëshkuar hallkat e fundit të zinxhirit institucional për të shpëtuar kokën (lexo: karriget e hallkave më të larta të zinxhirit), të cilat kanë edhe mandatin edhe pushtetin për ta ndryshuar sistemin.
Kur u duhet të mburren me sukseset e Policisë në veri dhe të marrin merita për shtrirjen e sovranitetit, Sveçla dhe Kurti nuk ngurrojnë t’i përvetësojnë meritat për punën e Policisë dhe ta paraqesin atë si rezultat të drejtimit të tyre politik. “Policia e Kosovës nuk është institucion i pavarur, por agjenci ekzekutive brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme, rrjedhimisht brenda Qeverisë”, deklaronte vetë Sveçla. Por si ndodh që kjo përgjegjësi të zhduket pikërisht atëherë kur Policia dështon në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave, deri te rastet më të rënda, kur mosveprimi i saj, në bashkëfajësi me institucionet e tjera, i lë gratë të pambrojtura dhe i shtyn drejt vrasjes? Si mund të jetë Policia pjesë e Qeverisë kur ka suksese, por të shndërrohet në një institucion që vepron i vetëm kur dështon?
Kjo kontradiktë nxjerr në pah edhe kufijtë e konceptit tradicional të sigurisë. Në diskursin politik, siguria matet shpesh me kontrollin e territorit, praninë policore dhe ushtrimin e sovranitetit. Por sa kuptim ka siguria e një shteti nëse nuk përfshin edhe mbrojtjen e grave brenda atij territori? Siguria publike nuk mund të reduktohet në shtrirjen e autoritetit shtetëror, duke e lënë dhunën ndaj grave në margjinat e prioriteteve politike.
Gazmend Hoxha, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, u bë kurban. Ai dha dorëheqje me arsyetimin e përgjegjësisë morale. Por dorëheqja si akt i përgjegjësisë morale ka kuptim kur ofrohet menjëherë pas rastit, jo vetëm pasi është ushtruar presion publik, janë mbajtur protesta dhe është kërkuar llogari.
Nëse e shohim historikun e drejtuesve të Policisë së Kosovës, para Gazmend Hoxhës, dorëheqje kishte dhënë edhe Samedin Mehmeti, në gusht të vitit 2022, pas rastit të dhunimit të një vajze 11-vjeçare nga pesë persona. Pra, dy drejtorë të Policisë kanë përfunduar mandatet e tyre pas rasteve të rënda të dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore. Ndërkohë, dhuna vazhdon të mbetet një problem i pandryshuar, kurse Xhelal Sveçla vazhdon të qëndrojë i palëkundur në pozitën e tij.
Për ironi, vetë Sveçla, gjatë konferencës, iu referua dorëheqjes së tij nga pozita e drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prishtinës, më 24 qershor 2016, pas vdekjes tragjike të dy fëmijëve në një gropë të mbushur me ujë. Madje, në arsyetimin e tij të atëhershëm pati thënë se, pavarësisht punës së bërë, nuk kishin arritur t’i eliminonin të gjitha rreziqet dhe ta mbronin çdo qytetar. Atëherë kishte ndier përgjegjësi morale për të dhënë dorëheqje. Çfarë ndryshoi ndërkohë? Pse standardi i përgjegjësisë morale, që Sveçla e zbatoi ndaj vetes në vitin 2016, nuk zbatohet me të njëjtën logjikë kur përballë tij janë dështimet institucionale në mbrojtjen e grave?
A nuk mjafton një rast kaq brutal, i dokumentuar deri në detajet e neglizhencës institucionale? A nuk mjaftojnë shkeljet që vetë ministri i numëroi, as numri i zyrtarëve të përfshirë, që dëshmon natyrën sistemike të dështimit? Përgjegjësia nuk mund të jetë selektive, as të varet nga fakti se kush është viktima dhe sa kushton politikisht pranimi i dështimit.
Meqë Sveçla refuzon të marrë përgjegjësinë politike që i takon, përgjegjësia për ta kërkuar atë i adresohet emëruesit të tij, kryeministrit Albin Kurti, i cili vazhdimisht na thotë se udhëheq qeverinë që ka bërë më së shumti për gratë.
Edhe sa gra duhet të vriten, sa dështime institucionale të dokumentohen dhe sa drejtues të Policisë të japin dorëheqje, para se kryeministri Kurti ta shkarkojë Xhelal Sveçlën?
Na kanë lodhë me rendin, ligjin dhe sigurinë, me veriun dhe sovranitetin. Por kur rendi, ligji dhe siguria do të vlejnë edhe për gratë e vajzat në Kosovë?
Siguria përtej rendit publik është çështje e marrëdhënieve të pushtetit që përcaktojnë jeta e kujt mbrohet, dhuna ndaj kujt merret seriozisht dhe zëri i kujt dëgjohet nga institucionet. Shteti mund të ketë ligje, strategji e mekanizma mbrojtës dhe, megjithatë, të vazhdojë t’i riprodhojë kushtet që i ekspozojnë gratë ndaj dhunës, për sa kohë institucionet e tij e minimizojnë dhe e relativizojnë rrezikun që u kanoset. Problemi, pra, nuk qëndron vetëm te moszbatimi i ligjit, por edhe te një rend institucional që i detyron gratë ta dëshmojnë vazhdimisht rrezikun që u kanoset, ndërsa përgjegjësia e shtetit bëhet temë debati vetëm pasi dhuna ka marrë jetë.
Prandaj, nuk ka më çfarë të presim nga Xhelal Sveçla. Ka pasur kohë, ka pasur pushtet dhe ka pasur mundësi të veprojë. E nuk e ka bërë. Andaj, Xhelali duhet me shku n’shpi.