Një grua 20 vjeçare me aftësi të kufizuara dyshohet se është përdhunuar brenda një stacioni policor në Lahore, duke nxitur autoritetet të pezullojnë 78 policët dhe punonjësit e stacionit, në një nga masat disiplinore më të mëdha të ndërmarra ndonjëherë ndaj forcës policore në Pakistan.
Sipas pretendimeve të gruas, një nëninspektor ndihmës e ndaloi atë, e dërgoi në stacionin policor Ghaziabad dhe e përdhunoi në një dhomë në katin e dytë të ndërtesës. Familjarët thanë se ajo ishte zhdukur gjersa ndodhej në rrugë dhe u kthye në shtëpi duke qarë, duke u treguar se ishte sulmuar seksualisht brenda stacionit policor, raporton the Guardian.
Polici i dyshuar është arrestuar dhe po përballet me një hetim penal për përdhunim. Zëvendësinspektori i përgjithshëm i Policisë për operacionet në Lahore, Faisal Kamran, tha se policët u pezulluan pasi, sipas rregullave të policisë, i gjithë personeli mban përgjegjësi për të parandaluar dhe raportuar çdo shkelje që ndodh brenda stacionit policor, detyrim që, sipas autoriteteve, ata nuk e përmbushën.
“Asnjë polic nuk pyeti pse nëninspektori ndihmës e kishte sjellë gruan në stacion pa praninë e ndonjë policeje,” tha Kamran.
Rasti ka shkaktuar zemërim në Pakistan, ku organizatat për të drejtat e njeriut prej kohësh kanë pohuar se shumë gra hezitojnë të raportojnë dhunën seksuale për shkak të stigmës dhe mungesës së besimit te institucionet e zbatimit të ligjit. Aktivistët thonë se akuzat për sjellje të papërshtatshme nga ana e policëve kanë minuar edhe më tej besimin e publikut.
“Ky është një incident jashtëzakonisht shqetësues dhe pasqyron mungesën e kahershme të llogaridhënies brenda policisë,” tha Farzana Bari, aktiviste për të drejtat e grave. “Është një shembull i qartë i shpërdorimit të pushtetit. Akuzat për sjellje të papërshtatshme të policëve dhe përdhunime gjatë ndalimit në paraburgim nuk janë të reja; raste të tilla i kemi parë ndër vite.”
Dënimet për përdhunim mbeten të rralla në Pakistan, pavarësisht reformave ligjore të ndërmarra vitet e fundit. Sipas Sustainable Social Development Organisation, shkalla e dënimeve në nivel kombëtar ishte rreth 0.5% në vitin 2024, ndërsa të dhënat zyrtare tregojnë se në provincën e Punjab, ku ndodhi rasti, kjo përqindje ishte 4% në vitin 2025.
Organizatat për të drejtat e njeriut ia atribuojnë këtë nivel të ulët hetimeve të dobëta, mbledhjes jo të mjaftueshme të provave, vonesave në procedurat penale dhe stigmës që vazhdon ta shoqërojë dhunën seksuale.
Sipas të dhënave të policisë, në gjysmën e parë të vitit 2026 në provincën Punjab u regjistruan mbi 20 mijë krime ndaj grave, më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
“Nëse institucionet shtetërore nuk mbahen përgjegjëse, krime të tilla do të vazhdojnë. Ajo që nevojitet janë reforma strukturore dhe mekanizma më të fortë mbikëqyrjeje për të garantuar drejtësi për qytetarët e zakonshëm,” tha aktivistja Farzana Bari.