Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Policia nis hetimet dy vjet pasi nxënësja raportoi se u ngacmua seksualisht nga profesori

QIKA 1.2.2024

Dy vjet pasi një nxënëse nga Suhareka raportoi në shkollë se është ngacmuar seksualisht nga një mësimdhënës, Policia ka filluar hetimet. Autoritetet u aktivizuan tek tash, meqë rasti nuk u raportua nga menaxhmenti i shkollës dhe as nga Drejtoria Komunale e Arsimit, raporton KOHA.

Akuza për pedofili që një profesor bëri ndaj kolegëve të tij të një shkolle në Suharekë ka aktivizuar Policinë.

Profesori rikujtoi se para dy vjetësh një nxënëse raportoi në shkollë se është ngacmuar seksualisht nga mësimdhënësi me inicialet I.B.. Ai pretendon se nxënësja është dhunuar dhe se në shkollë ka qenë një kabinet që është përdorur nga stafi për shfrytëzimin e nxënësve për marrëdhënie seksuale.

Menaxhmenti i shkollës nuk e raportoi rastin tek organet e ndjekjes e Policia u aktivizua tek pas reagimit publik të profesorit.

“Sektori Rajonal i Hetimeve me autorizim të prokurorit kanë filluar hetimet. Hetimet janë në fazën fillestare”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Raportimi i nxënëses në shkollë përfundoi vetëm me vërejtje të shqiptuar ndaj mësimdhënësit. Menaxhmenti i shkollës nuk e lajmëroi rastin në polici, ndonëse ngacmimi seksual përbën vepër penale. Për moslajmërim, neni 378 i Kodit Penal parasheh dënim me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.

Rasti nuk u trajtua as siç parasheh Rregullorja për organizimin e punës në shkolla. Në këtë dokument parashihet që mësimdhënësi i cili shkel dinjitetin e nxënësve pezullohet nga puna prej një deri në gjashtë muaj, derisa të merret vendimi nga organet kompetente.

Për shkelje të tilla mësimdhënësit dalin para Komisionit Disiplinor të Komunës, por për këtë rast mungoi vendimi.

Në menaxhmentin e shkollës treguan se rasti u mbyll brenda saj në shkallën e parë. E mosmarrjen e vendimit nga Komisionit Disiplinor drejtori i Arsimit i Komunës së Suharekës, Remzi Bajselmani e arsyetoi me mungesë të provave.

“Po, Drejtoria Komunale e Arsimit është njoftuar në vitin 2022 për situatën se është një raport për një mësimdhënës në atë shkollë. E kemi shqyrtuar rastin bashkë me drejtorinë e shkollës dhe janë marrë masat në bazë të situatës që është krijuar aty. I është dhënë vërejtja mësimdhënësit”, ka thënë ai.

Bajselmani ka njoftuar se kanë filluar hetimet pas akuzave publike që mësimdhënësi i bëri ndaj kolegëve të tij.

“Rasti ka qenë shqetësues dhe kam shkuar personalisht në shkollë për të biseduar me mësimdhënësin që i ka ngritur këto pretendime. Kur kam shkuar, drejtori kishte filluar të merret me këtë çështje, mirëpo profesori nuk ka qenë aty”, ka thënë ai.

Për pasojë, nxënësja dhe mësimdhënësi i raportuar për ngacmim vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtin objekt.