Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Pothuajse të gjitha gratë në Mbretërinë e Bashkuar janë ngacmuar seksualisht

QIKA 15.3.2021

Studimi i UN Women në Mbretërinë e Bashkuar raporton se 97% e grave të moshës 18-24 vjeçare janë ngacmuar seksualisht, përderisa 80% e grave të të gjitha moshave pohuan se kanë përjetuar ngacmim seksual në hapësirat publike.

Sipas Claire Barnett, drejtore ekzekutive e UN Women në Mbretërinë e Bashkuar, kjo çështje duhet adresuar menjëherë. “Ne po shohim një situatë ku gratë e reja vazhdimisht modifikojnë sjelljen e tyre në përpjekje për të shmangur objektifikimin apo sulmin, dhe gratë e moshuara raportojnë shqetësime serioze në lidhje me sigurinë personale nëse ato dalin nga shtëpia natën”, tha Barnett.

Sipas sondazhit YouGov me më shumë se 1000 gra respodente, thuhet se 96% e të anketuarave nuk i raportuan incidentet, ndërsa 45% e tyre pohuan se raportimi nuk do të kishte ndikim. Këto shifra, shpërfaqin mungesën e besimit që gratë kanë në politikat qeverisëse në adresimin e kësaj çështje. Ndërsa projekti i UN Women, Safe Spaces Now (Hapësira të Sigurta Tani), mblodhi rrëfimet e 400 grave dhe u dërgoi letër të hapur udhëheqësve duke bërë thirrje për hapësira publike të dizajnuara më mirë si dhe sistem të përmirësuar të raportimit.

Laura Bates, themeluese e projektit “Seksizmi i përditshëm”, tha se gratë shpesh nuk e raportojnë ngacmimin seksual sepse nuk kanë më besim në sistemin qeverisës. Sipas të dhënave të hulumtimit TUC/Everyday Sexism, 52% e grave kanë përjetuar ngacmim seksual në punë, një në pesë prej tyre kanë raportuar ngacmim, ndërsa 16% prej tyre ishin trajtuar edhe më keq pas raportimit.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.