Presidenti Çek, Milos Zeman, ka quajtur personat transgjinorë ‘të neveritshëm’, përgjatë diskutimit të tij në CNN për ligjin e ri konservativ ndaj personave LGBTI në Hungari.
Ligji i ri hungarez ndalon të gjitha materialet arsimore dhe programet për fëmijët që konsiderohen se promovojnë homoseksualitetin, ndryshimin e gjinisë dhe konceptin e seksualitetit. Ky ligj konservator është kritikuar shumë nga antarët e Bashkimit Evropian, raporton CNN.
Ndërsa, Presidenti Zeman shprehi se ndërhyrja në punët e brendshme të çdo vendi anëtar të BE-së është një gabim i rëndë politik dhe ai mbrojti kryeministrin hungarez Viktor Orban duke thënë: “Unë nuk shoh ndonjë arsye për të mos u pajtuar me të.”
Ai më vonë shtoi: “Unë mund të kuptoj homoseksualët, lesbiket dhe kështu me radhë. Por a e dini se kë nuk kuptoj fare? Këta njerëz transgjinorë.”
Zeman i përshkroi njerëzit transgjinorë si “thellësisht të neveritshëm”.
Pozicioni i Hungarisë në këtë qështje ka ngritur dyshime nëse ajo i përket Bashkimit Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen javën e kaluar denoncoi projektligjin si diskriminues, duke thënë “është kundër çdo vlere fundamentale të Bashkimit Evropian, barazia dhe dinjiteti njerëzor janë të drejta fundamentale të njeriut”.
Komentet e Zeman u bënë përderisa në shumë qytete të botës u festua Parada e Krenarisë me marshime që synonin të kundërshtonin shtypjen e komunitetit LGBTQ dhe të shënonin trazirat e Stonewall të vitit 1969.
Festa e Krenarisë së Pragës është planifikuar të mbahet në javën e parë të gushtit.