Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke hetuar një grup në rrjetet sociale në të cilën shpërndahen të dhëna personale të grave si dhe fotografi e video eksplicite të tyre. Në këtë grup, i cili numëron gati 100 mijë përdorues, po ashtu kërkohen fotografi intime të vajzave të mitura.
Në këtë grup të quajtur “Albkings” në rrjetin social Nicegram, në kuadër të Telegramit, shpërndahen foto dhe video eksplicite kryesisht të vajzave dhe grave, të dhëna personale si numri i telefonit, vendbanimi e llogaritë në rrjete sociale.
Sa i përket raportimin të këtij rasti, KOHA shkruan se pyetur në Polici, por nuk kanë kthyer përgjigje nëse janë duke hetuar rastin, ndërsa në Prokurorinë Themelore të Prishtinës u kanë pohuar se janë duke hetuar këtë rast.
“Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se jemi duke e trajtuar këtë çështje”, ka thënë për KOHA Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Kjo nuk përbën një vepër të thjeshtë, por është një vepër penale dhe të njëjtat duhet të trajtohet nga organet gjegjëse në vend. Agjencia këto raste nuk i trajton në nivelin e vet administrativ, por direkt i drejton te Policia apo Prokuroria”, ka thënë Sogojeva-Dermaku, komisionare e Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Në këtë grup janë të shpërndara rreth 30 mijë foto dhe 20 mijë video si dhe ai është aktiv që nga nëntori i vitit 2022, raporton KOHA.