Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Propozohet ligji që lufton varfërinë menstruale në Malin e Zi

QIKA 8.12.2022

Komiteti i Financave dhe Buxhetit në Parlamentin e Malit të Zi, të mërkurën votoi për të propozuar një ligj mbi varfërinë menstruale që synon të ulë taksat për produktet higjienike të grave dhe pelenave për fëmijë.

Sipas ligjit të propozuar nga Partia Liberale e opozitës, taksa e vlerës së shtuar, pra TVSH-ja për produktet menstruale dhe pelenat e fëmijëve duhet të ulet nga 21% në 7%. Deputeti liberal Andrija Popoviç tha se qeveria duhet t’u ofroj zgjidhje atyre me të ardhura të ulëta që nuk mund të përballojnë blerjen e produkteve menstruale të përshtatshme dhe atyre që nuk kanë qasje të lehtë në to.

“Cikli menstrual nuk është çështje zgjedhjeje, por një proces i natyrshëm dhe si i tillë kërkon disponueshmërinë e produkteve të duhura higjienike. Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare për varfërinë menstruale, ky problem është i pranishëm në Mal të Zi dhe fatkeqësisht, është neglizhuar padrejtësisht nga autoritetet”, tha Popoviq.

Sipas të dhënave zyrtare, çmimi aktual i pecetave menstruale në Mal të Zi varion nga 1.39 deri në 3.55 euro, ndërsa një paketim me pelena për fëmijë kushton deri në 21 euro.

Deputetja Tamara Vujovic informoi se gruaja mesatare në Mal të Zi gjatë jetës së saj shpenzon rreth 5,000 euro për produkte menstruale esenciale. “Produktet menstruale, të cilat përfshijnë tampona, peceta dhe kupa menstruale, janë nevoja themelore. Kjo është një çështje thelbësore dhe TVSH-ja aktuale duhet të hiqet”, tha Vujovic.

Sipas sondazhit të OJQ-së CAZAS mbi studentët, mbi 25% thanë se nuk mund të përballojnë financiarisht produktet menstruale. Më shumë se 20% e të anketuarve thanë se po ia dalin vetëm duke blerë produkte më të lira dhe joadekuate.

Gjatë seancës së komisionit, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave nuk e mbështetën propozimin për uljen e TVSH-së, me argumentin se praktika ka treguar se ulja e TVSH-së nuk do të sjellë uljen e çmimeve të shitjes me pakicë.

Varfëria menstruale nënkupton mungesën e qasjes në produkte menstruale, edukimin mbi shëndetin riprodhues, objekte sanitare, menaxhim të mbeturinave etj.

Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, ka propozuar lejimin e shteteve anëtare që të heqin TVSH-në mbi produktet menstruale, kështu duke hedhur poshtë kërkesën aktuale që kërkon që TVSH-ja minimale të jetë 5%.