Alb Eng
Për QIKA
Lajme

Protestohet në Poloni kundër “regjistrit të shtatzënisë”

QIKA 15.6.2022

Qeveria e Polonisë po përballet me kritika për një dispozitë të re që kërkon që mjekët të regjistrojnë çdo shtatzëni në vend. Deputetët e opozitës e kanë cilësuar listën e të dhënave mjekësore si “regjistër shtatzënie” dhe shkelje të të drejtave të grave.

Polonia ka vendosur një ndalim pothuajse të plotë të abortit dhe aktivistët janë të shqetësuar se gratë do të përballen me mbikëqyrje të paprecedentë nga partia konservatore në pushtet. Sipas urdhrit të Ministrit të Shëndetësisë Adam Niedzielski, mjekët tani duhet të regjistrojnë informacione për shtatzënitë, duke përfshirë çdo sëmundje të kaluar ose aktuale, vizitat mjekësore, trajtimet dhe grupin e gjakut.

Por ligjvënësit e opozitës thonë se ky regjistër mund të jetë një “mjet i ri shtypjeje” ndaj grave që synon të zbulonte abortet e mundshme të paligjshme. Regjistri mund të aksesohet gjithashtu nga zyra e prokurorit polak, me vendim gjykate. Deputetja liberale Kamila Gasiuk-Pihowicz u tha gazetarëve se lista e të dhënave mund të “persekutojë dhe kontrollojë gratë polake”. Regjistri i qeverisë u denoncua gjithashtu nga lideri i opozitës polake dhe ish-presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk, raporton euronews.

“Gratë polake kanë nevojë për kujdes, jo kontroll”, tha Tusk gjatë një konference për shtyp. Ndwrsa deputetja e krahut të majtë, Agnieszka Dziemianowicz-Bąk, u shpreh se një regjistër shtatzënie në një vend me një ndalim pothuajse të plotë të abortit është i tmerrshëm.

Masa e re mund të bëjë që shumë gra polake të kërkojnë trajtim privat ose të udhëtojnë jashtë vendit, madje edhe për kujdesin para lindjes. Sipas një reforme të rreptë ligjore të vitit 2020, gratë polake mund të kërkojnë një abort vetëm nëse ka një rrezik serioz për shëndetin e nënës ose nëse shtatzënia vjen nga përdhunimi ose incesti. Në muajt e fundit, të paktën dy gra kanë vdekur në spitalet polake pasi mjekët vonuan heqjen e fetusit të tyre, edhe kur ai ishte diagnostikuar me sëmundje të rëndë.

QIKA

Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion - QIKA është organizatë e themeluar në gusht të vitit 2020, që për qëllim ka mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.