Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Publikohet libri “136 zëra të grave shqiptare”

QIKA 25.2.2021

Kosovalive360 ka publikuar librin “136 zëra të grave shqiptare” i cili është përmbledhje e rrëfimeve të grave përmes rubrikës “WoW-Woman of the Week”, gjatë viteve 2013-2016.

Në një kohë kur mediat përgjithësisht raportimet për gratë e angazhuara në sferën publike i kishin përplot me stereotipe, rubrika “WoW” kishte ofruar tregime për kontributin e llojllojshëm të grave dhe vajzave në Kosovë dhe më gjerë. Për 136 javë, përgjatë gati tre vjetësh, një grua rrëfente storjen e vet në këtë rubrikë, ndërkohë që lexuesit kishin mundësi të lexonin për punën, angazhimin, vështirësitë dhe mendimet e saj.

“Brenda muajit, në kutinë “WoW” pasqyroheshin storje të katër grave. Puna e njërës nga to, atë kohë, ishte më e etabluar dhe zëri i saj dëgjohej më shumë në shoqëri, ndërsa tri të tjera do të ishin ende në fillim të karrierës së tyre apo për punën e tyre ende nuk ishte dëgjuar. Ky zinxhir shpresonim se do të ndërtonte një rrugë më të fortë, e më të pasur për qëndrueshmërinë e punës dhe suksesit të secilës, duke i ndihmuar të shpërthenin jashtë atyre “kutive” tradicionale e kulturore. “WoW” pra ishte kuti fleksibile e multidimensionale dhe gjithmonë shpërthente përtej katër këndeve të saj duke e tërhequr lexuesin në një botë të pasur me storje nga jeta e grave në mjekësi, biznes, art, bamirësi, shkencë, film, agronomi, media e deri tek fizika”, thuhet në njoftimin e Kosovalive360.

Sipas tyre publikimi i këtij i libri thërret për shpresë se jehona e tregimeve të këtyre grave do të shtrojë një rrugë më të drejtë për të tjerat.