Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës protestojnë, kërkojnë rritje të pagave

QIKA 10.7.2024

Dje, punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës kanë protestuar për të kërkuar rritje page, të cilën aktualisht e marrin në shumë prej 275 eurove në muaj, teksa kanë treguar se atyre nuk u paguhen shujtat e ushqimit e as transporti e shpeshherë iu bie të punojnë me orar të zgjatur.

Përgjegjës për këto paga të ulëta është mbajtur kompania kontraktuese. Sipas Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, për çdo muaj Kuvendi ia paguan kësaj kompanie private nga 18 mijë euro, prej të cilave 9 mijë euro i mbesin fitim kompanisë.

“Kemi punuar si skllevër mjaftë më, sepse nuk po mund t’ia dalim”, kanë thënë punëtoret teksa kanë kërkuar qe tu rriten pagat nga 275 euro në 500 euro. “Seancat që zgjasin shpesh e po ashtu edhe mbledhjet e Komisioneve parlamentare që janë thuajse të përditshme, asnjë orë shtesë nuk na paguhet”, kanë shtuar ato.

Përfaqësuesja e punëtorëve teknikë, Nazife Krasniqi ka treguar se qe gjashtë vjet paguhen me nga 275 euro në muaj, dhe për këto vite pagat iu janë rritur vetëm dy herë nga 20 euro. “Ne punojmë që 20 vite këtu. Ne nuk po kërkojmë asgjë me shumë vetëm aq sa na takon neve me ligj. Neve operatori ekonomik nuk na është përgjigjur, nuk mundemi me punu më me 275 euro kur kemi me udhëtu dhe për ushqim nuk po na mjaftojnë. Paguhemi që 6 vjet me këtë pagë dhe na u ka rritë paga vetëm dy herë nga 20 euro, dy herë për tetë vite”, ka shtuar Krasniqi.

Po ashtu, një punëtore teknike në Kuvendin e Kosovës, Hanife Hyseni ka shtuar se edhe mjetet financiare për Kursime Pensionale në Trust, kjo kompani nuk iu ka paguar anipse paratë e kontributeve ia kanë ndalur, raporton Telegrafi.

Kujtojmë se 3 ditë më parë, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi i ka drejtuar një shkresë Grupeve Parlamentare në Kuvendin e Kosovës të cilët i ka njoftuar për shumën e pagës dhe i ka paralajmëruar se do nëse pagat nuk u rriten do të ndërmarrin veprime sindikale.