Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Qeveria e Kilit shpërndau pilula të gabuara për parandalimin e shtatzënisë

QIKA 14.4.2021

Më shumë se 150 gra mbetën shtatzënë pasi përdorën pilulat kontraceptive të shpërndara nga Qeveria e Kilit. Anulette DC është kontraceptivi që gratë po përdornin, ky kontraceptiv oral përmban versione sintetike të hormoneve si estrogjeni dhe progesteroni, me ç’rast parandalohet ovulimi dhe trashet qafa e mitrës duke parandaluar kështu shtatzëninë.

Sipas raportimit të CNN, 139,160 pako të pilulave Anulette u rishikuan në gusht të vitit 2020, pasi që punonjësit e kujdesit shëndetësor kishin identifikuar 6 pako të pilulave me defekt. Pilulat blu (placebo) u gjetën aty ku duhet të ishin pilulat e verdha (aktive), dhe anasjelltas. Prodhuesit e pilulave u njoftuan për të anuluar pilulat të cilat kishin defekt në gusht të vitit 2020. Kështu, Instituti i Shëndetit Publik të Kilit (ISP) këshilloi qendrat shëndetësore të karantinojnë pakot e pilulave të cilat mund të kishin defekt.

Një total prej 276,890 të pakove me defekt Anulette DC janë shpërndarë në të gjithë Kilin. Shteti i Kilit nuk ka marrë asnjë përgjegjësi ndaj kësaj çështjeje.

Dihet që Amerika e Jugut ka ligje të rrepta mbi abortin, duke e lejuar atë vetëm në raste të përdhunimit, nëse fetusi nuk mund të përballojë jetën jashtë mitrës, apo nëse jeta e gruas është në rrezik. Korporata Miles me partnerët e saj po përfaqësojnë gratë e prekura nga shtatzënia e padëshiruar si pasojë e pilulave me defekt, duke kërkuar nga Qeveria e Kilit të paguajë dëmshpërblim financiar, si dhe tu sigurojë qasje në abort të sigurt dhe të ligjshëm atyre që duan ta ndërpresin shtatzëninë.