Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ndalon testimin e virgjërisë

QIKA 11.2.2022

Javën e kaluar, qeveria britanike shtoi një klauzolë në Ligjin e saj për Shëndetin dhe Kujdesin, me ç’rast himenoplastika apo operacioni i “riparimit të virgjërisë” u bë i jashtëligjshëm në Angli dhe Uells. Ndër të tjera, në fund të vitit të shkuar edhe “testimi i virgjërisë” u bë vepër penale.

Richard Holden, anëtar i Parlamentit Britanik, i cili propozoi ndryshimet në këtë ligj, pohoi se këto praktika degradojnë gratë dhe sidomos ato që janë emigrante në Mbretërinë e Bashkuar. “Nuk po e besoja se kjo gjë po ndodhte akoma dhe askush nuk kishte bërë asgjë për ta ndryshuar. E dija se duhej të bëja një fushatë për të ndryshuar ligjin”, kishte thënë ai për një intervistë në CNN.

Ndërsa, një zëdhënës i qeverisë pohoi se ndryshimet në ligj janë dëshmi e një angazhimi për të mbrojtur të gjitha gratë si dhe për të thyer mitet mbi virgjërinë dhe seksualitetin e një gruaje. Megjithatë, edhe pse këto ndryshime janë mirëpritur, Britania ka një histori të tërë sa i përket testimit të virgjërisë, ku në vitet 1970 oficerët e imigracionit testonin gratë imigrante si një procedurë e kontrollit. Për këtë gjë, Britania nuk ka kërkuar asnjëherë falje formale ndaj imigrantëve.

Sipas Grupit të Pavarur të Ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, që përbëhet nga specialistë shëndetësor, ekzaminimet e virgjërisë nuk janë të besueshme nga ana mjekësore dhe nuk kanë asnjë vlerë klinike apo shkencore. Ndër të tjera, ky grup theksoi se këto ekzaminime janë diskriminuese, pothuajse në të gjitha rastet kryhen me forcë, rezultojnë në dhimbje dhe vuajtje fizike e mendore, raporton CNN.

Megjithëse kjo praktikë u bë e jashtëligjshme, emigrantët kërkojnë llogaridhënie dhe kërkim falje për trajtimin çnjerëzor. Qeveria britanike nuk ka pranuar kurrë se kanë bërë diçka të gabuar.