Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

“Queering the Map” zbulon mesazhe të dashurisë brenda komunitetit LGBT në Gaza

QIKA 7.6.2024

Këto ditë, nuk është e lehtë për këdo që jeton në Gaza. Vështirë se mund të gjendet ndonjë vend i sigurt mes sulmeve të pandërprera ajrore të Izraelit.

Por për komunitetin LGBT të Gazës, lufta Izrael-Hamas vështirësoi edhe më shumë mundësinë për të jetuar lirshëm në një vend ku të qenurit queer kundërshton zakonet sociale dhe fetare.

Mes kërcënimeve të dyfishta të përshkallëzimit të dhunës dhe represionit të vazhdueshëm, një faqe interaktive, e lansuar para 6 vjetëve në Kanada është shfaqur për t’i ofruar botës një pamje të rrallë të perspektivës së anëtarëve të komunitetit LGBT në Gaza.

“Queering the Map”, një platformë e themeluar në vitin 2017 nga Lucas LaRochelle në Montreal, lejon përdoruesit të identifikuar si LGBT të bëjnë postime anonime me etiketa të ndryshme gjeografike. Atlasi me ngjyrë rozë i anekdotave të shkruara nga komuniteti, fillon nga ato më të çuditshmet deri tek ato që prekin zemrën. Këto postime kanë skicuar përvoja në të gjithë botën, në të paktën 28 gjuhë, raporton TIME.

Në mesazhe nuk ka periudha kohore, duke e bërë të pamundshme të dihet se kur janë postuar ato. Disa nga përdoruesit ndajnë përvojat e tyre të të jetuarit si persona LGBT në enklavë.

“E di që kam qenë ndryshe që në moshe të re. E dija që më pëlqenin djemtë që herët. Por shoqëria kërkon që ajo të mbetet e fshehur. Tani jetoj diku tjetër dhe ende përpiqem të kuptoj situatën. Do të doja që gjërat të mos ishin kaq të komplikuara. Nuk dua të lëndoj familjën time, por nuk mund të jetoj një gënjeshtër”, thuhet në një postim.

Një postim i shkruar në arabisht, i gjeoetiketuar në qendër të Gazës, shkruan: “E vetmja gjë që më mban të qetë në Gaza është deti dhe ti”.

Një tjetër, i postuar në buzë të një skele, shkruan: “Në vendin ku putha simpatinë time të parë. Të jesh homoskeksual në Gaza është e vështirë, por disi ishte argëtuese. U putha me shumë djem në lagjen time. Mendoja që të gjithë janë homoseksual deri në ndonjë nivel”.

Shumë mesazhe të gjeoetiketuara brenda Gazës shprehin solidaritetin me kauzën disa dekadëshe të çlirimit të Palestinës.

Afër kampit të refugjatëve Nuseirat, i cili u vu në shënjestër nga një sulm ajror izraelit, një postim thotë: “Në solidaritet me të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia palestineze, ju duam të gjithëve. Liri për Palestinën”.

Një tjetër postim nga qyteti jugor i Khan Younis, ku me qindra mijëra qytetarë të Gazës u larguan pas urdhrave të evakuimit në veri dhe i cili gjithashtu është bombarduar nga sulmet ajrore, thotë: “Ju lutem ta dini se pavarësisht asaj që mediat shkruajnë, në Palestinë ka homoseksual. Ne jemi këtu, ne jemi queer. Liri për Palestinën”.

Mesazhet e tjera janë edhe më zemërthyese.

“Gjithmonë kam imagjinuar veten dhe ty të ulur në diell, dorë për dore, më në fund të lirë. Bisedonim për të gjitha vendet që do të vizitonim nëse do të mundeshim”, thuhet në një postim të etiketuar në qytetin verior të Jabalia, ku një seri raketash izraelite shkatërruan një kamp refugjatësh dhe vranë dhjetëra njerëz. “Megjithatë ti tani nuk je më. Nëse do ta dija që bombat që bien mbi ne do të të largonin nga unë, me kënaqësi do t’i kisha thënë botës se si të adhuroja më shumë se çdo gjë. Më vjen keq që isha frikacak”.

Një tjetër postim, të cilin TIME nuk mund ta verifikonte në faqen “Queering the Map”, por mund të ketë ekzistuar dhe më vonë është hequr, bëri bujë të madhe në rrjetet sociale: “Nuk e di edhe sa do të jetoj, kështu që dua që ky të jetë kujtimi im para se të vdes. Unë nuk do të largohem nga shtëpia ime, sido që të ndodhë. Pendimi im më i madh është që nuk e putha këtë djalë. Ai vdiq dy ditë më parë. Ne kishim thënë se sa shumë na pëlqente njëri-tjetri dhe isha shumë i turpshëm për t’u puthur herën e fundit. Ai vdiq në bombardim. Unë mendoj se një pjesë e madhe e imja vdiq gjithashtu. Dhe së shpejti do të vdes. Younus, unë do të të puth në parajsë”.

Queering the Map lejon që përmbajtja të hiqet sipas kërkesës dhe themeluesi LaRochelle tha në një intervistë se moderatorët bllokojnë mesazhet që përfshijnë detaje të veçanta personale si emrat dhe mbiemrat.