Gjetjet e “Raportit analitik nëntëmujor janar-shtator 2024” të Policisë së Kosovës tregojnë se rastet e dhunës në familje kanë pësuar rritje për 4.4%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga 1897 raste që ishin raportuar në periudhën janar-shtator 2023 janë rritur në 1981 sosh për periudhën janar-shtator 2024.
Raporti ofron të dhëna statistikore në fushën e rendit dhe sigurisë publike krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak dhe ka për qëllim informimin e opinionit publik. Ky raport ofron të dhëna të ndara për numrin e përgjithshëm të veprave penale si dhe statistika të klasifikuara për veprat penale si vrasjet, lëndimet e lehta trupore, lëndimet e rënda trupore, vjedhjet, grabitjet, dhunën në familje, gjobat dhe aksidentet në trafik etj.
“Policia e Kosovës edhe me këtë rast të prezantimit të këtyre të dhënave nga Departamenti i Rendit Publik, çmon lartë bashkëpunimin me qytetarët dhe falënderon ata për mbështetjen e vazhdueshme në drejtim të rritjes së sigurisë publike dhe arrestimin e personave të kërkuar për vepra të ndryshme penale”, thuhet në komunikatën e Policisë.