Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Reklamat me foto të grave mbulohen me ngjyrë në Kabul

QIKA 17.8.2021

Reklamat e grave të veshura me fustane nusërie në Kabul janë mbuluar me ngjyrë pasi luftëtarët talibanë hynë në kryeqytetin e Afganistanit. Reklamat në fjalë janë jashtë lokalit të sallonit të bukurisë “Taj”, i cili e përshkruan veten si salloni më i mirë i bukurisë martesore në Afganistan.

Një video e postuar në faqen e biznesit të Facebook në mars të këtij viti, tregon modele që pozojnë me fustane nusërie në dy reklama të vendosura në hyrjen e lokalit. Incidenti i mbulimit me ngjyrë vjen pavarësisht pretendimit të një zëdhënësi taliban se grupi militant “do të respektojë të drejtat e grave” kur të marrë kontrollin e Afganistanit.

Shumë gra në Afganistan u larguan me forcë nga puna, ku persona të armatosur i shoqëruan ato në shtëpitë e tyre dhe u thanë që të mos ktheheshin në punë. Në vend të kësaj, ata u thanë se të afërmit burra mund të shkonin në vend të tyre, raportojnë për The Independent tri prej grave të përfshira.

“Është vërtet e çuditshme të mos të lejohet të shkosh në punë, por tani kjo është ajo çfarë po ndodh”, tha 43-vjeçarja Noor Khatera, e cila kishte punuar në departamentin e llogarive të bankës.

Incidenti është një shenjë e hershme se disa nga të drejtat e fituara nga gratë afgane gjatë 20 viteve që nga rrëzimi i lëvizjes militante islamike të ashpër mund të përmbysen.