Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Rregullat e reja të talibanëve ua ndalojnë grave afgane paraqitjet në drama televizive

QIKA 22.11.2021

Sipas rregullave të reja të vendosura nga qeveria talibane, grave afgane iu ndalohet paraqitja në drama televizive. Gazetaret dhe prezantueset poashtu janë urdhëruar të mbajnë shami gjatë paraqitjeve të tyre në ekran.

Talibanët morën pushtetin në Afganistan në mes të gushtit dhe shumë afganë po i frikësohen kufizimeve të ashpra që ata po vendosin. Grupi militant islamik, i cili mori kontrollin pas largimit të forcave të SHBA-së dhe aleatëve tjerë, thuajse menjëherë udhëzoi vajzat dhe gratë e reja që të qëndronin në shtëpi e te mos shkonin në shkollë.

Udhëzimi i fundit i talibanëve, i cili është lëshuar për kanalet televizive afgane, përmban tetë rregulla të reja. Aty përfshihet ndalimi i filmave që konsiderohen se janë kundër parimeve të ligjit të Sheriatit dhe vlerave afgane, ndërsa skenat ku burrat ekspozojnë pjesët intime të trupit janë të ndaluara.

Shfaqjet argëtuese që ofendojnë fenë ose mund të konsiderohen fyese për afganët janë poashtu të ndaluara. Talibanët gjithashtu kanë këmbëngulur që filmat e huaj që promovojnë vlera të huaja kulturore nuk duhet të transmetohen.

Kanalet televizive afgane shfaqin kryesisht drama të huaja me personazhe kryesore gra. Një anëtar i një organizate që përfaqëson gazetarët në Afganistan, Hujjatullah Mujaddedi, thotë se njoftimi për kufizimet e reja ishte i papritur. “Rregullat nuk janë praktike dhe se nëse zbatohen, transmetuesit televiziv mund të detyrohen të mbyllen”, tha ai për BBC-në.

Talibanët pretendojnë se kufizimet e tyre për gratë që punojnë dhe vajzat që studiojnë janë të përkohshme dhe janë në fuqi vetëm sa për të siguruar që të gjitha vendet e punës dhe mjediset mësimore të jenë të sigurta për to.