Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Rreth 557,000 gra në Gaza po përballen me mungesë të ushqimit

QIKA 4.7.2024

UN Women raporton se të paktën 557,000 gra në Gaza po përballen me pasiguri të rëndë ushqimore dhe po e gjejnë veten përballë sfidave të bazuara në gjini.

Rrjedhimisht pasiguria ushqimore dhe kequshqyerja rezulton në dobësim të shëndetit fizik dhe humbje të peshës. Shtatë nga dhjetë gra të intervistuara nga UN Women raportuan humbje peshe në 30 ditët e fundit dhe më shumë se gjysma po përjetojnë marramendje të shpeshta.

Në një studim të fundit nga UN Women, mbi 80 përqind e grave të anketuara mbështeten në ndihmën ushqimore si burim kryesor, megjithatë 87.3 përqind besojnë se ndihma ushqimore nuk shpërndahet në mënyrë të drejtë bazuar në madhësinë e familjes. Po ashtu, 83.5 përqind deklaruan se kjo ndihmë nuk i plotëson nevojat e tyre familjare.

Me rreziqe përballen edhe gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse për shkak të mungesës së kujdesit mjekësor dhe ushqyerjes së pamjaftueshme. 76 përqind e grave shtatzëna raportuan se kanë probleme me anemi dhe 99 përqind përballen me sfida për të pasur qasje në produktet dhe suplementet e nevojshme ushqimore, duke rrezikuar shëndetin e nënës dhe foshnjës.

Për më tepër, vetëm një e treta e të anketuarave raportuan se kishin akses në një kuzhinë ku mund të gatuajnë ushqim. Kurse, 69 përqind mbështeten në metoda të pasigurta gatimi, të tilla si përdorimi i drurit dhe materialeve të tjera nga mbeturinat, gjë që rrit rreziqet për sëmundje. Gratë, të cilat merren me përgatitjen e shujtave, janë të ekspozuara ndaj tymit të rrezikshëm dhe ndotësve, duke çuar në probleme shëndetësore.

“Kur jetonim në qytetin e Gazës, për shkak të luftës, papritur nuk kishim më ushqim”, tha një vajzë 16 vjeçare “, Nuk kishte perime në treg dhe nuk kishte fare ushqim. Ne duhej të hanim gjërat më të këqija”.

“Për shembull, nuk kishte miell të bardhë, dhe na u desh të përzienim miellin e grurit me ushqimin e kafshëve. Meqenëse ishte hera e parë që ne hanim ushqim të kafshëve, na dhimbte stomaku. Kishim ditë ku nuk kishte fare ushqim dhe ndiheshim të lodhur. Gjithashtu, nuk kishte spitale dhe disa ditë nuk dilnim dot nga shtëpia për shkak të bombardimeve” tha ajo.