Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Rreth 65,000 shtatzëni kanë ndodhur nga përdhunimi pas kriminalizimit të abortit

QIKA 9.2.2024

Një studim i ri i bërë në SHBA, tregon se dhjetëra mijëra shtatzëni kanë rezultuar nga përdhunimi në vendet ku aborti nuk është më opsion ligjor.

Studimi i botuar në revistën JAMA Internal Medicine, i bërë nga Planned Parenthood, Resound Research for Reproductive Health, ishte shtrirë në të gjithë SHBA-në përmes anketave që studionte krimet mbi dhunën seksuale. Studimi vlerëson se që nga kriminalizimi i abortit, kishin ndodhur rreth 520,000 përdhunime në total, ku 64,565 prej tyre kanë rezultuar në shtatzëni, raporton CNN Health.

Studimet tjera tregojnë se ka pasur më pak se 10 aborte çdo muaj në shtetet ku veçse është i ndaluar, duke sugjeruar se shumica, nëse jo të gjitha, viktimat nuk ishin në gjendje të bënin abort në shtetet ku jetojnë, madje edhe në ato vende ku ligji lejon përjashtime në rastet e përdhunimit.

“Kufizimi i qasjes në abort për të mbijetuarat e përdhunimit mund të ketë pasoja shkatërruese. Mënyra se si zgjedhin për të bërë abortin ose për të mbajtur fetusin, është e rrezikshme”, shkruajnë redaktorët e revistës.

Sipas një sondazhi të realizuar në vitin 2022 nga Qendra Kërkimore Pew, 1 në 5 persona të rritur në SHBA thonë se aborti duhet të jetë i ligjshëm në të gjitha rastet. Dhe një shumicë shumë më e madhe – gati 70% e të rriturve – thonë se aborti duhet të jetë i ligjshëm nëse shtatzënia është rezultat i përdhunimit.

Por ekspertët shprehin se realiteti i vënies në praktike të këtyre pritshmërive është shumë sfiduese.

“Asnjë kujdes tjetër shëndetësor nuk është i rezervuar vetëm për personat që mund të vërtetojnë se ka ndodhur një krim. Kjo nuk është një mënyrë etike për të praktikuar mjekësinë. Është mizore të detyrosh njerëzit që tashmë janë traumatizuar të kalojnë përmes barrierave ligjore dhe logjistike që shkaktojnë dëme të mëtejshme,” shton ndër të tjera Dr. Sami Heywood.

Idaho është një nga pesë shtetet që ka përjashtim për përdhunimin të përfshirë në ligjet që përndryshe ndalojnë abortin, dhe studimi i ri vlerëson se ka pasur 1,436 shtatzëni që kanë rezultuar nga përdhunimi në 16 muajt që kur ai ligj ka hyrë në fuqi.