Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

RrGK propozon futjen e një neni të veçantë për dhunën kibernetike në Kodin Penal të Kosovës

QIKA 23.8.2024

Rrjeti i Grave të Kosovës ka propozuar që Kodit Penal të Kosovës t’i shtohet edhe një ligj i ri që mbron viktimat e dhunës kibernetike. Aktualisht në legjislacionin penal të Kosovës nuk përfshihet specifikisht dhuna kibernetike dhe nuk ka ndonjë përkufizim apo dënim të harmonizuar mbi të.

Në këtë propozim thuhet se, sipas UNDP-së, në nivel global, 38% e grave kanë përjetuar drejtpërdrejt abuzim në internet dhe 50% e vajzave përballen më shumë me ngacmime në internet sesa me ngacmime në rrugë. Në Kosovë, është e vështirë të dihet numri i rasteve të dhunës kibernetike, sepse nuk ka një përcaktim të qartë ligjor. Mungesa e përcaktimeve të qarta në kodin penal të drejtpërdrejtë pengon raportimin dhe dokumentimin e rasteve, duke lejuar shkeljen e të drejtave.

“Në maj të vitit 2024, Bashkimi Evropian votoi Direktivën për Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës ne Familje, duke shënuar një hap vendimtar drejt garantimit të sigurisë dhe mbrojtjes së grave dhe vajzave në të gjitha sferat e jetës, duke përfshirë edhe atë online.  

Sipas Direktivës, dhuna kibernetike prekë më shumë gratë dhe vajzat dhe specifikisht “gratë politikane, gazetare dhe mbrojtëset e të drejtave të njeriut”. Dhuna kibernetike gjithashtu prek në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat në mjediset arsimore, si shkollat dhe universitetet, me pasoja të dëmshme për arsimimin e tyre të mëtejshëm dhe për shëndetin mendor, shkakton përjashtim social, ankth dhe nxitje për të shkaktuar vetëdëmtim dhe në raste ekstreme mund të çojë në vetëvrasje.

Direktiva vendos rregulla minimale për trajtimin e dhunës kibernetike serioze, duke u përqendruar në veprimet që ka të ngjarë të shkaktojnë dëme të mëdha ose frikë për sigurinë e viktimës. Rrethanat specifike të secilit rast duhet të merren parasysh, dhe Shtetet Anëtare kanë mundësinë të adoptojnë rregulla më të rrepta përtej këtij kuadri minimal, si dhe të miratojnë ose të krijojnë rregulla më të ashpra penale.

Në harmonizimin me Direktivat e BE-së, RrGK rekomandon që Kodi Penal i Kosovës të përfshijë të njëjtat “rrethana rënduese” siç parashikon Direktiva, duke shtuar gjithashtu identitetin gjinor dhe shprehjen gjinore. Në bazë të Direktivës dhe kornizës ligjore ekzistuese të Kosovës, Kosova duhet të inkorporojë në Kodin Penal përvojat ndërkombëtare. RrGK propozon që ky nen të vendoset në Kapitullin XXI të Kodit Penal, duke shtuar një nen të ri “Neni 249 Dhuna Kibernetike me Bazë Gjinore”, thuhet nw propozimin e RrGK.

Lexoni propozimin e plotë: https://womensnetwork.org/wp-content/uploads/2024/08/Final-Draft_Direktiva-e-BE-per-luftimin-e-dhunes-e-ndaj-grave-1.pdf