Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Shumë gra përballen me diskriminim në regjistrimin e lindjeve të fëmijëve

QIKA 12.7.2021

Një raport i publikuar nga UNHCR, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF), tregon se në shumë vende të botës, gratë ende përballen me diskriminim që po i pengon ato për t’i regjistruar lindjet, kështu duke i ekspozuar fëmijët e tyre ndaj rrezikut të mbetjes pa shtetësi.

Në disa vende, vetëm baballarët ose ndonjë anëtar tjetër i familjes burrë, mund ta regjistrojnë lindjen e fëmijës ligjërisht, ndërsa nënat këtë mund ta bëjnë këtë vetëm në rethana të jashtëzakonshme. Nëse babai nuk e regjistron lindjen, fëmija mund të mbetet pa regjistruar.

Përveç kësaj, ka vende ku e drejta ligjore e nënës për ta regjistruar lindjen e fëmijës së saj varet nga aftësia e saj për të faktuar se fëmija ka lindur përgjatë lidhjes martesore, duke kërkuar zakonisht certifikatën e martesës.

Sipas të dhënave të UNICEF-it, një në katër fëmijë nën moshën 5 vjeç nuk janë të regjistruar fare. Në disa raste edhe nëse janë të regjistruar, mund të mos kenë prova të regjistrimit. Rreth 237 milion fëmijë nën pesë vjeç në të gjithë botën janë aktualisht pa certifikatë të lindjes.

Analiza e përbashkët e UNHCR dhe UNICEF gjithashtu tregoi se shtetet e ndryshme si Guinea, Sudani i Jugut, Mozambiku dhe Nepali kanë ndërmarrë hapa për të reformuar ligjet e regjistrimit civil, duke u dhënë të drejta të barabarta grave për regjistrimin e lindjeve.

Konventa e të Drejtave të Fëmijëve, traktati më i ratifikuar i të drejtave të njeriut në histori, përfshin regjistrimin e lindjeve midis të drejtave elementare të fëmijëve. Në mënyrë të ngjashme, Konventa për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave u bën thirrje shteteve t’u japin grave të drejta të barabarta me burrat në lidhje me dhënien e kombësisë te fëmijët e tyre. Sidoqoftë, pashtetësia e fëmijëve mbetet një problem global, i cili mund të çojë në breza të njëpasnjëshëm të familjeve që nuk njihen si shtetas të asnjë vendi.